Shefi i Pentagonit Austin në Izrael, bisedon për Iranin

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin u takua të hënën në Izrael me zyrtarë izraelitë për të biseduar mbi Iranin.

Takimi vjen pasi një avarie elektrike në objektin bërthamor iranian të Natanz-it, që thuhet se u ka shkaktuar dëme të mëdha centrifugave iraniane për pasurimin e uraniumit. Zyrtarët iranianë ia hodhën fajin Izraelin dhe kërcënuan se do të hakmerren për sulmin.

Marketing

Izraeli rrallë merr përgjegjësinë për sulme si ai në Natanz, që sipas njoftimeve izraelite të lajmeve, mund ta vonojnë programin bërthamor iranian me nëntë muaj. Por Shefi i Shtabit të ushtrisë Izraelite, Aviv Kochavi, la të kuptohet se Izraeli mund të ketë qenë i përfshirë në këtë ngjarje.

Image

Foto satelitore e Planet Labs Inc. ku duket objekti bërthamor iranian Natanz më 7 prill, 2021.

 

Foto satelitore e Planet Labs Inc. ku duket objekti bërthamor iranian Natanz më 7 prill, 2021.

Zoti Kochavi tha se aktivitetet e ushtrisë izraelite në Lindjen e Mesme “nuk bëhen fshehurazi syve të armikut se mos na shikojnë, se mos shohin aftësitë tona”.

Sekretari Austin, zyrtari i parë i administratës së Presidentit Joe Biden që viziton Izraelin, nuk e përmendi drejtpërdrejt Iranin, por tha vetëm se ai dhe Ministri i Mbrojtjes i Izraelit Benny Gantz diskutuan për sfidat rajonale të sigurisë.

Shtëpia e Bardhë të hënën se nuk ishte e përfshirë në incident dhe refuzoi të komentojë rreth akuzave të Teheranit ndaj Izraelit për sabotimin e objektit Natanz.

Vizita e Sekretarit Austin vjen ndërsa SHBA po kërkon të rifillojë bisedimet me Teheranin rreth ringjalljes së marrëveshjes bërthamore për Iranin (JCPOA), pas tërheqjes prej saj të ish Presidentit Trump në vitin 2015.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është shprehur fuqimisht kundër marrëveshjes, duke thënë se ajo i krijon Iranit një rrugë legjitime për të prodhuar armën bërthamore.

Analisti i çështjeve të Iranit Eldad Shavit thotë se tensionet në rritje midis Izraelit dhe Iranit mund ta shtyjnë administratën Biden më afër një marrëveshjeje të re me Teheranin.

“Ka arsye për të besuar se administrata do të jetë tani akoma më shumë nën presion për të arritur një marrëveshje me iranianët, sepse qëllimi i tyre strategjik është të kthehen në marrëveshje pasi nuk kanë një politikë alternative për Iranin”, thotë analisti.

Javët e fundit, ka patur njoftime për disa sulme izraelite ndaj objektivave iraniane, përfshirë bazën e Rojave Revolucionare në një anije.

Sima Shein i Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare thotë se Irani do të përpiqet të hakmerret për këto dhe veçanërisht për sulmin në Natanz.

“Nëse më duhet të hartoj një listë se cilat janë mundësitë e Iranit për t’u hakmarrë, ata do të preferonin ta bënin atë në disa vende, në disa fusha nëse munden,” tha analisti. “Ata janë përpjekur në të kaluarën dhe jam i sigurt se do ta provojnë përsëri në fushën kibernetike, nëse kanë ndonjë aftësi dramatike për të depërtuar në infrastrukturën civile izraelite. Ata u përpoqën siç e dini në sistemet e ujit dhe të tjera dhe do të përpiqen për ta bërë këtë në të ardhmen,” tha ai.

Ministri i jashtëm i Iranit tha se objekti Natanz do të rindërtohet me centrifuga më të përparuara që mund ta pasurojnë uranium edhe më shpejt.

IRANI PREMTON HAKMARRJE

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane bëri të ditur se centrifugat e pasurimit të uraniumit ishin dëmtuar. Ai shtoi se Irani do të hakmarrej ndaj Izraelit, por pa përcaktuar se për çfarë bëhej fjalë konkretisht.

Image

 

Shefi i programit bërthamor të Iranit Ali Akbar Salehi e quajti incidentin e së dielës një akt “terrorizmi bërthamor”.

“Ndërsa e dënojmë këtë veprim të dëshpëruar, Republika Islamike e Iranit thekson nevojën që organet ndërkombëtare dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike të përballen me këtë akt të terrorizmit bërthamor”, njoftoi televizioni shtetëror duke cituar zotin Salehi.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, organi i Kombeve të Bashkuara që monitoron programin atomik të Iranit njoftoi të dielën se ishte në dijeni të situatës dhe zhvillimeve pasuese, por nuk dha të tjera detaje.

Duke cituar dy agjentë të zbulimit, gazeta “New York Times” raportoi se incidenti ishte një goditje e rëndë ndaj kapaciteve të Iranit për të pasuruar uranium dhe se sipas tyre mund të duheshin nëntë muaj për ta rifutur sërish në punë impiantin.

Gazeta shkruante se sipas zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë të zbulimit, Izraeli kishte pasur rol në avarinë elektrike që i ishte shkaktuar impiantit. Të dielën media të shumta izraelite raportuan se Izraeli mund të ketë qenë pas incidentit, duke e cilësuar si sulm kibernetik.

Ndërprerja vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani pritet të zhvillojnë një raund të dytë bisedimesh indirekte këtë javë, në një përpjekje për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 mes Teheranit dhe fuqive botërore.

Irani kërkon heqjen e të gjitha sanksioneve amerikane ndaj tij, por SHBA paralajmëron se një kërkesë e tillë mund të çojë në një ngërç. Presidenti Joe Biden është zotuar se SHBA do të rikthehet tek marrëveshja nëse Irani do të fillojë t’i përmbahet plotësisht kushteve të saj.

Vendimi i ish-Presidentit Presidenti Donald Trump për të tërhequr SHBA-në nga marrëveshja në vitin 2018 dhe rivendosja e sanksioneve amerikane ndaj Iranit, krijuan shqetësime të mëdha në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Pas kësaj Irani vendosi të mos respektojë më kushtet e marrëveshjes, përfshirë depozitimin e rezervave më të mëdha të uraniumit të pasuruar.

Impianti i Natanzit ka qenë subjekt sulmesh edhe në të kaluarën, përfshirë sulmet kibernetike rreth një dekadë më parë, për të cilat u fajësuan gjerësisht Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Korrikun e kaluar impianti pësoi gjithashtu një shpërthim misterioz tek centrifugat, akt të cilin autoritetet iraniane e cilësuan si sabotazh.

Incidenti vjen një ditë pasi Presidenti iranian Hassan Rouhani mbikëqyri fillimin e punës në impiantin e Natanzit të centrifugave të përparuara për pasurimin e uraniumin, një përbërës kryesor për armët bërthamore.

Zoti Rouhani përsëriti qëndrimin se aktivitetet bërthamore të vendit janë “paqësore dhe se nuk kanë qëllime ushtarake”./VOA

Marketing