Ashtu siç pati premtuar, pak ditë pas goditjes së rëndë që një tërmet i fuqishëm i dha Shqipërisë, biznesmeni Shefqet Kastrati ka deponuar 1.5 milionë euro në fondin për të prekurit nga kjo fatkeqësi natyrore.

Presidenti i kompanisë Kastrati premtimin e dhënë për ndihmë financiare, përveç heqjes së tarifës në Rrugën e Kombit për të gjitha ndihmat humanitare, e ka realizuar akoma pa u mbushur dy javë. Në adresimin e tij, ai pati theksuar që i “tronditur thellësisht” nga pasojat e rënda të tërmetit, që ka marrë 52 jetë njerëzish, ka vendosur që të ndajë “1.5 milionë euro, që kjo dhimbje e madhe që të lehtësohet sado pak”.

Biznesmeni Kastrati madje pati deklaruar se e vetmja arsye e bërjes publike të vendimit për t’i ndihmuar financiarisht të goditurit nga tërmeti është që t’u bëjë thirrje atyre që kanë të japin për ata që kanë humbur gjithçka.