Shekerinska, Osmani, Dimitrov e Spasovski, përshëndesin ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës

Pasi marrëveshja e Prespës mori dritën jeshile edhe në Parlamentin grek, katër përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë sot zyrtarisht e përshëndetën ratifikimin e kësaj marrëveshje, duke e quajtur si historike jo vetëm për të dyja vendet, por edhe për Ballkanin dhe Europën.

Marketing

Zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osamni, ministria e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, dhe ministri i MPB-së, Oliver Spasovski, njëzëri konstatuan se shembulli i Maqedonisë dhe i Greqisë do të mbetet shembull për gjeneratat e ardhshme, se përmes rrugës së dialogut mund të zgjidhen probleme të trashëguara me shekuj dhe kur të bëhet fjalë për interesin shtetëror, duhet të ekzistojnë edhe kompromiset.

“Me vendimin e tyre në Parlamentin grek kanë treguar se deputetët tanë nuk janë të vetëm në vizionin për një Ballkan më ndryshe dhe në vizionin që e promovon politika e shekullit XXI. Deri më tani në qendrat më të mëdha botërore jemi njohur si vend i konfrontimeve të politikave që nuk mendojnë njëlloj, krim, kriminal gjithandej, ndërsa tani pas kësaj Marrëveshje, Bota po flet për Maqedoninë. Ne sot në Bruksel njihemi si shtet më perspektivë europiane, më e sigurt dhe më e afër me fqinjët, në një Ballkan më të sigurt, anëtare e 30 e NATO-s”,- theksoi ministrja e MM-së, Radmilla Shekerinska.

Ndërsa zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, ka folur për procesin e integrimit të Maqedonisë pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në Parlamentin grek.

Sipas Osmanit, Maqedonia obligimet të cilat i mori nga BE para 15 muajve arriti që në një kohë rekord edhe t’i përfundojë të njëjtat, që ka dhënë një besim tek komuniteti ndërkombëtar se vërtet kjo Qeveri ka vullnet, dëshirë që të lëvizë fuqishëm drejt BE-së.

“Maqedonia i kreu detyrimet e veta që i mori vetëm para 15 muajve dhe brenda kësaj periudhe mbylli temat politike, u bë vendi i vetëm në Ballkan që nuk ka asnjë çështje të hapur bilaterale me fqinjët e saj dhe se përfundimisht në qershor Maqedonia konfirmon datën për fillim të bisedimeve për anëtarësim, në vjeshtë fillon mbledhja e parë ndërqeveritare në mes Maqedonisë dhe BE, ndërsa në janar ose shkurt hapim kapitullin e parë”,- tha zëvendëskryeministri i qeverisë, Bujar Osmani.

Ndërsa ministri i brendshëm tha se MPB nga një shtab partiak ku janë realizuar përgjime të qytetarëve, është shndërruar në institucion në shërbim të qytetarëve.

“Të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare flasin për rritje të dukshme të lirive dhe të drejtave të njeriut. Nga një vend ku Ministria e Punëve të Brendshme ishte shndërruar në një shtab partiak dhe qendër për përgjimin e telefonave të qytetarëve, jemi shndërruar në shtet ku për këto përgjime më nuk mund të flasim. Në kuadër të policisë kemi vendosur rregulla në përputhshmëri me ligjet europiane për veprimet e policisë dhe kontrollin e jashtëm mbi punën e policisë”,- tha ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.

Ndërsa ministri i punëve të jashtme ka folur rreth takimeve të tij të vazhdueshme me faktorin ndërkombëtare dhe me palën greke, me çka pohoi se emri Republika e Maqedonisë akoma nuk ka përfunduar.

“Po parashtrohen pyetje se pse ne akoma thirremi në emrin kushtetues të emrit Republika e Maqedonisë, sepse ky proces akoma nuk është mbaruar deri në fund dhe i tërë procesi mbaron me sjelljen e protokollit për qasje për anëtarësimin tonë nga ana e Parlamentit të Greqisë. Në atë moment hynë në fuqi amendamentet kushtetuese, pas të cilave në takimet ndërkombëtare thirremi me emrin Maqedonia e Veriut”,- theksoi ministri i MPJ-së, Nikolla Dimitrov.

Të gjithë ministrat po ashtu folën edhe për sjelljen e ligjeve siç është ligji i gjuhëve, ku kërkuan durim nga qytetarët deri sa të fillojnë institucionet e vendit t’i vendosin gjërat në binar, sepse ky, sipas tyre, është një proces shumë i rëndë dhe me shumë obligime, por paraprakisht duhet të ecin edhe reformat e brendshme në gjyqësi, luftën kundër korrupsionit dhe vendosjen e shtetit të së drejtës.

Marketing