Shënohen 18 vjet nga masakra e Lubotenit

Tetëmbëdhjetë vite më parë banorët e Lubotenit u zgjuan nga zhurma e krismave të armëve dhe brutalitetit të njësiteve policore që atë ditë morën 10 jetëra të pafajshme dhe pas vete lanë shtëpi të shkrumosura e fshatarë të malltretuar e me pasoja të cilat i vuajnë edhe sot.

Marketing

12 gushti për Lubotenasit është data që u rikujton atyre tmerrin e masakrave të vitit 2001. Mes frikës, tmerrit dhe memorieve të këqija, mbetet i paprekshëm kujtimi për 10 viktimat që humbën jetën 17 vite më parë. Për çdo vit fshatarët dhe drejtuesit e bashkësisë lokale kujtojnë përvjetorin e masakrës së vitit 2001, të kryer nga forcat policore me urdhër të Johan Tarçullovskit, në kohën kur ministër i brendshëm ishte Lube Boshkovski.

18 vite më parë masakra e cila mori jehonë ndërkombëtare u krye vetëm një ditë para nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Nga ndërhyrja brutale e policisë së asaj kohe u vranë 10 civilë të këtij fshati mes të cilëve edhe një fëmijë 6 vjeçar, Erxhan Aiu. Viktimat e tjera të masakrës së Lubotenit ishin edhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.

Përveç 10 viktimave të pafajshme, në atë periudhë në Luboten u dogjën edhe 14 shtëpi të fshatit, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë, me arsyetimin se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së. Për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë, Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte dënoi me 12 vjet burg ish-pjesëtarin e lartë të forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski duke e shpallur fajtor për krimet e bëra në Luboten.

Marketing