Mediat dhe një pjesë e opinionit publik kanë shkruar orët e fundit duke bërë pyetjen se organet e sigurisë, gjegjësisht shërbimit sekret DSK (Drejtoria e Sigurisë Publike) a ka njohuri dhe a e di se ku gjendet ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ndaj të cilit dje u shpallë fletëarrest i brendshëm.

Nga Ministria e Brendshme deri tani nuk ka asnjë përgjigje zyrtare, derisa për sot siç paralajmërohet pritet të dal ministri i brendshëm Oliver Spasovski për të folur lidhur me arratisjen e ish-kryeministrit dhe kryetarit të nderit të VMRO-DPMNE-së.

Kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski përmes një postimi në facebook ka thënë se MPB po bën teatër dhe dëshiron të thotë se nuk e di se ku është Gruevski.

“Mos ndoshta personin që me vite e keni përndjekur politikisht, ndaj të cilit po gjuani me drunj dhe me gurë dhe të cilin po e trajtoni si armik të shtetit, doni të thoni se nuk e dini ku gjendet? Si, kur deri dje, sikur se edhe atë, të gjithë neve na keni përcjell, na keni kërcënuar. Ndaloni dhunuesit tuaj partiak të LSDM-së në polici, sepse turpi i tyre është edhe turpi juaj”- ka shkruar mes tjerash lideri i VMRO-së, Hristian Mickoski.

Forca të posaçme policore mbrëmë kanë kërkuar nëpër Shkup, ish-kryeministrin, pasi që nuk ishte gjetur në banesën e tij. Kontrollet e detajuara ishin bërë edhe në garazhet e nëndheshme në selinë e VMRO-DPMNE-së, por pritej ndërhyrja edhe në selinë e kësaj partie.

Veprimi i tillë i MPB-së ka hasur në kritika të forta edhe në rrjetet sociale ku është kërkuar përgjegjësia nga kokat kryesore të MPB-së, përfshirë edhe ministrin Spasovski, se si kanë lejuar nga dita e premte që të arratisej Gruevski, edhe përkundër faktit se ai shoqërohej dhe sigurohen nga 6 pjesëtarë të drejtorisë së gjashtë të MPB-së.