Pjesëmarrja e opozitës në Parlament, për sesionin e jashtëzakonshëm të votimit të dekreteve mbi ndryshimet në Qeveri, ishte një normalitet që zgjati pak.

PD dhe LSI kishin kërkuan debat, duke regjistruar emrat e të gjithë deputetëve përkatës, por mazhoranca tha se kjo nuk lejohet nga Rregullorja e Kuvendit. Gramoz Ruçi theksoi se bazohej edhe mbi praktikën parlamentare.

Kur kryeparlamentari hapi votimin për dekretet e Presidentit, opozita u largua nga salla, ndërsa Sali Berisha doli në foltore pavarësisht mikrofonave të fikur.

Ministrat e rinj të Edi Ramës, që prisnin në llozha, morën 77 vota. Ndërsa të larguarit u mblodhën bashkë në fund të sallës.

Jashtë, Lulzim Basha fliste me tone të ashpra për tradhëtarë dhe luftë.

Parlamenti nuk arriti të votonte mbi ndryshimet në Ministrinë e Jashtme, pasi ende nuk kishte mbërritur dekreti i Presidentit Meta me emrin e Edi Ramës.
Pas seancës, aleatët e opozitës u mblodhën në selinë e Partisë Demokratike për të vendosur mbi strategjinë që do të ndjekin pas këtyre zhvillimeve.

Artikulli paraprakHahn nesër takon Haradinajn
Artikulli tjetërJuventusi mund Milanin, CR7 fiton trofeun e parë si bardhezi