Shfrytëzimi i fondeve IPA, Selami: Jemi lider rajonal për fondet nga IPARD 2

Maqedonia  e Veriut është lider në rajon për shfrytëzimin e fondeve IPA nga programi IPARD2. Zëvendësdrejtori në Agjencinë për Përkrahje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Abdul Selam Salami, thotë se sektori i bujqësisë nëpërmjet thithjes së fondeve të huaja synon të përafrojë standardet me ato të BE-së.
“Maqedonia e Veriut është lider në rajon për përdorimin e mjeteve në dispozicion nëpërmjet programit IPARD2. Në programin IPARD1 kemi shfrytëzuar 17 për qind të mjeteve në dispozicion, ndërsa në IPARD 2 shfrytëzimi është mbi 50 për qind të mjeteve në dispozicion dhe e gjithë kjo vetëm në më pak se 3 vjet.”,- tha zëvendësdrejtori në APFBZHR, Abdul Selam Selami.
Kompania “Bako” ka fituar 300 mijë euro për zhvillim dhe investim në teknologji. Pronari i saj u apelon bujqve të aplikojnë për fondet. Ankohet megjithatë se në treg ka mungesë të kuadrove për makineritë bashkëkohore.
“Shumë lehtë është aplikimi dhe të fitosh nuk ka pengesa, duhet të kesh program dhe biznes plan. Edhe bujqit duhet të kenë vullnet të investojnë në makineri bujqësore që të kemi prodhime tona vendore. Është e rëndë që të gjendet resursi njerëzor adekuat për makineri më bashkëkohore, por ne si kompani i dërgojmë në trajnime.”,- u shpreh fituesi i fondeve IPARD 2, Omer Fejzullahi.
Problematikat dhe sukseset e bizneseve u përmendën dhe para zëvendëskryeministrit, Artan Grubi, i cili vlerëson se thithja e fondeve të huaja është mundësi e mirë për të ngritur standardet e prodhimtarisë vendore dhe për zgjerim të kapaciteteve të kompanive prodhuese.