Shfuqizimi i lustrimit-përmirësimi i gabimit, apo amnistim i spiunëve?

Propozim ligji për shfuqizimin e Ligjit për Lustrim, i dorëzuar nga Ministria e Drejtësisë, u bë “moll sheri” mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. LSDM pretendon se shfuqizimi i Ligjit për Lustrim do të përmirësojë gabimin historik ndaj personave të lustruar, ndërsa VMRO-DPMNE këtë e quan si amnisti klasike të spiuneve.

Marketing

“Përmirësimi i gabimit historik i bërë ndaj personave eminentë dhe politikë, të gjallë dhe të vdekur, është obligimi ynë si politikanë të përgjegjshëm dhe njerëz për të cilët drejtësia dhe vendimet e drejta janë në radhë të parë. Procesi i shfuqizimit të lustrimit të padrejtë duhet të vazhdojë.”,- tha deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski.

“Partia e të amnistuarit, Zoran Zaev, tani bën amnisti të spiunëve. Fëmijët e spiunëve i amnistojnë paraardhësit e tyre. Jemi vendi i vetëm në Europë ku personat që bëjnë spiunazh në vend të marrin dënimin e duhur, do të dëmshpërblehen. Ligji i cili e propozon LSDM është në kundërshtim të tërësishëm të vlerave europiane dhe demokratike, për këtë arsye nuk do të mbështet këtë propozim ligj. Përgjegjësi morale dhe politike duhet të ketë për spiunët.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoran Ilioski.

Për shkak të mungesës së anëtarëve të Komisionit për Sistem Politik, seanca kushtuar shqyrtimit të këtij ligji u anulua. Në të ardhmen nëse i njëjti kalon, ligji do të vendoset në rend dite në seancë plenare.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së paralajmërojnë shumë amendamente për ta penguar këtë propozim ligj, ndërsa kryeparlamentari, Talat Xhaferi, thotë se mbetet në vullnetin e deputetëve nëse miratojnë shfuqizimin e Ligjit për Lustrim.

“Unë kam qenë një nga mbështetësit e Ligjit për Lustrim si deputet aso kohe, ndërsa për çështjen e zbatimit të ligjit është përgjegjësia atyre që kanë zbatuar lustrimin dhe nëse kanë pasur pengesa dhe keqpërdorime të zbatimit të këtij ligji kjo është kompetencë e institucioneve tjera, të shqyrtohen eventualisht këto keqpërdorime siç zotohen…”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Lustrimi filloi në vitin 2009, atëherë kur edhe u formua Komisioni për Verifikimin e Fakteve, ndërsa u ndërpre në vitin 2015. Shifra e atyre që e kanë kaluar procesin e lustrimit supozohet të jetë me mijëra, por e atyre që janë shpallur si bashkëpunëtorë janë rreth 200.

Tani me propozim-ligjin e ri për shpallje të pavlefshmërisë dhe shkatërrimit të akteve juridike, veprime, masa dhe pasoja juridike nga procedurat për lustrim, hapën rrugën që të lustruarit e deritanishëm të kërkojnë dëmshpërblim nga shteti.

Marketing