Shilegov: Bëjmë analiza për ndryshim eventual të financimit të komunave, mund të ketë ndarje të reja territoriale

Në organizim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale në Shkup sot u mbajt konferenca e fundit nga tre konferencat rajonale me temën “Partneriteti për decentralizim të përshpejtuar, zhvillimin dhe qëndrueshmërinë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Konferencën e hapi ministri i Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë së Veriut, Suhejl Fazliu, i cili në një deklaratë për media para konferencës tha se përveç temave si decentralizimi financiar dhe mbështetja për komunat në konferencë do të analizohet edhe Ligji për Vetëqeverisje Lokale. Ai gjithashtu tha se të njëjtën gjë si shteti dhe komunat në partneritet me institucionet shtetërore duhet të përgatiten për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Kryetari i Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Peter Shilegov tha se gjatë konferencës do të skanohen performancat e secilës komunë veçmas në mënyrë që komunat të jenë të gatshëm për të marrë përsipër përgjegjësitë që u takojnë.

Shilegov potencoi se pas analizave do të shohin se sa komuna mund të jenë të vetë-qëndrueshme në qoftë se ndryshon sistemi i financimit dhe pastaj do të bëhen ndryshime legjislative të cilat mund të përfshijnë ndarjen territoriale të komunave.

“Esenca është që të mos ngutemi me zgjidhjet, prandaj i hapim këto procese për të parë se sa nga komunat ekzistuese në kuptimin territorial janë të vetëqëndrueshme. Sa mund të jenë të tilla nëse ndryshohet sistemi i financimit, pastaj do të bëjmë ndryshimet e nevojshme ligjore në pjesën e financimit dhe ndoshta nëse ka nevojë edhe në pjesën e ndarjes territoriale të komunave. Ky është një proces politik më serioz, mund të them dy të tretat. Mund të hapet edhe një lloj i proceseve të tilla”, theksoi Shilegov.

Frake Janmat nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Shkup, tha se është e rëndësishme që komunat të ofrojnë shërbime cilësore, efikase dhe në kohë reale për qytetarët, por gjithashtu të jenë financiarisht të vetëqëndrueshme.

“Nuk ka një model për decentralizimin. Çdo vend e zbaton në mënyrën e vet, sipas specifikave të tij. Kur t’i hapim negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, të cilat pres që do të ndodhin shumë shpejtë, administrata do të jetë një nga fushat kryesore”, tha Janmat.

Konferenca po mbahet në kuadër të projektit “Përmirësimi i menaxhimit komunal”, i financuar nga BE-ja dhe me zbatimin e UNDP-së.

Marketing