Përfaqësuesit e iniciativës civile “E dua Vodnon” dhe përfaqësuesit e qeverisë – zëvendësministri i Ambientit Jetësor, Jani Makraduli, kryetari i Shkupit, Petre Shilegov dhe drejtori i Resurseve Energjetike të Maqedonisë, Bajram Rexhepi nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët rreth trasesë kontestuese për seksionin pesë të gazsjellësit, Shkup- Tetovë –Gostivar, përmes Vodnos, shkruan “Meta.mk”.

“Në këtë moment nuk ekziston mekanizëm që mund t’i ndalojë lejet ndërtimore të dhëna për projektin e gazsjellësit traseja 5. Procesi ka shkuar aq larg që të kthehemi në fillim dhe të kërkojmë trase që nuk do të kalonte përmes Vodnos. Duhet të pajtohemi me faktet ashtu siç janë”, tha Petre Shilegov në mënyrë decide.

Ai duke u përgjigjur në pyetjet e aktivistëve tha:

“Gjendjen e gazsjellësit e pritëm si shtatzëni të padëshiruar në fazë të vonshme, ku aborti është rrezik për jetën e nënës dhe fëmijës”.

Ndërsa drejtori i Resurseve energjetike, Bajram Shabani i përsëriti argumentet paraprake se ndryshimi i trasesë, në këtë fazë, me lëshimin e objekteve tashmë të ndërtuara dhe me projektimin e ri do të ishte humbje e madhe prej 20 milionë euro të buxhetit, por edhe nëse gazsjellësi shkon pas trasesë tjetër, sërish do të kishte shumë probleme të dëmshme në ambientin jetësor dhe shumë prerje të pyjeve.

Ndërsa aktivisti Igor Smilev tha se është e vështirë të jesh eko-aktivist në kohën e sotme.

“Është e vështirë të jesh aktivist në shtet siç është Maqedonia. Nga përvoja në luftë me projektet e dëmshme ekologjike në vend, revitalizimi i zonave të shkatërruara, që shteti i bën që shkatërrimi i tyre të arrijë në nivel kritik, gjithmonë ka qenë shumë vonë, me harxhime të mëdha dhe pa efekt”, tha Smilev