Shkarkimi i Ancelotit dhe gjoba ndaj lojtarëve, çfarë po ndodh te Napoli

Klubi i Napolit po përballet me një situatë të pazakontë të brendshme që mund të cojë deri në shkarkimin e teknikut Anceloti dhe vendosjen e gjobave ndaj lojtarëve. Situata u acarua kur presidenti i klubit, De Laurentis kërkoi që ekipi të qëndronte në grumbullim pas humbjes në fundjavë me Romën edhe pse skuadra luante në qytetin e saj. Kjo provokoi një revoltë nga ana e lojtarëve dhe e trajnerit Anceloti i cili nuk ishte dakord me vendimin e presidentit. Pas barazimit të mbrëmshëm kundër Salzburgut, lojtarët dhe trajneri Anceloti u larguan nga stadiumi duke mos u prononcuar për mediat dhe duke mos respektuar grumbullimin e kërkuar nga De Laurentis. Drejtuesit e klubit reaguan pas këtij veprimi duke paralajmëruar padi dhe aksione ligjore ndaj futbollistëve të tij. “Klubi do të mbrojë të drejtat e tij ekonomike, të imazhit dhe disiplinore në instancat përkatëse”. Klubi anuloi gjithashtu rezervimin e hotelit ku duhet të qëndronin lojtarët deri ditën e diel dhe pasditen e së mërkurës. Në reagimin për mediat thuhet gjithashtu se “trajneri ishte përgjegjës mbi ditët e grumbullimit” duke paralajmëruar kështu shkarkimin e teknikut veteran. Napoli ka 11 pikë më pak sesa Juventusi në Serie A.

Marketing
Marketing