Shkarkohet kreu i Gjykatës së Sarandës

KPK ka shkarkuar kryetarin e Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela. Ai nuk ka mundur të justifikojë pasurinë dhe për këtë arsye DSIK ka kërkuar shkarkimin e gjyqtarit.

Marketing

Raporti i IKDKP-së fliste për deklarim të saktë të pasurisë dhe në përputhje me ligjin nga ana e gjyqtarit Çela. Por Komisioni listoi një sërë paqartësish. E tillë ishte fakti që një sipërfaqe prej 17 mijë e 540 metër katrorë, e përfituar në vitin 1994 bazuar në ligjin 7501, mbante emrin e tij dhe jo të babait, ndonëse ata jetonin bashkë.

Vetë gjyqtari sqaroi se edhe pse jetonte në të njëjtën banesë me prindërit, në gjendjen civile figuronte familje më vete dhe se ashtu ishte vlerësuar nga Komisioni i Ndarjes së Tokës. Komisioni vuri re paqartësi edhe tek një shtëpi banimi në pronësi të gjyqtarit në Fshatin Tatzan, Delvinë, që figuronte si dhuratë nga babai. Ndonëse ekzistonte një vendim gjyqësor për njohje pronësie, Komisioni tha se gjykata është shprehur vetëm për banesën dhe jo për një sipërfaqe prej 600 m2 truall pranë saj.

Probleme u konstatuan për një pronë pranë ish-fabrikës së biskotave të Sarandës e përshtatur për banim, pasi sipas hetimit të KPK, përshtatja ishte bërë në vitet 1994-1995, ndërsa pronësia ishte marrë në vitin 1995. Komisioni ngriti dyshime për një ambient magazinë të blerë në vitin 2002 nga gjyqtari, të dhënë me qira e mandej përshtatur për banim, si edhe për një truall prej 400 metër2 përfituar nga Këshilli Bashkiak Saranda në vitin 1999, por i paregjistruar në ZRPP. Kryegjyqtari i Sarandës këmbënguli për çdo rast se pasuria e tij ishte e ligjshme dhe e rregullt.

Por kundër tij ishte edhe raporti i përcjellë nga Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar. Pa dhënë shpjegime, relatorja tha se sipas DSIK-së, gjyqtari Çela është i papërshtatshëm për të qenë gjyqtar.

Alltun Çela e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1995. Ai drejton Gjykatën e Sarandës prej vitit 2008, ndërsa u rikonfirmua në këtë pozicion edhe në vitin 2014.

Në vitin 2016, emri i Alltun Çelës u lakua në Gjykatën e Krimeve të Rënda për një çështje pronash nga kolegu i tij Rasim Doda, ndërsa ky i fundit po gjykohej për korrupsion. Doda u dënua në shkallë të parë, por Apeli e rrëzoi vendimin.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Marketing