Në një hark kohor prej 7 vitesh, ai kishte futur duart në llogaritë bankare të klientëve të pasur, me qëllimin për të ndihmuar ata më në nevojë!

Pa dijeninë e bankës që ofronte llogari kursimesh, ai kishte tërhequr shuma të ndryshme për një sasi të përgjithshme prej një milion eurosh.

Për këtë praktikë të paligjshme, drejtori Gilberto Baschiera i “Banca di Credito Cooperativo di Carnia e Gemonese” në Friuli është pushuar nga puna. I akuzuar për përvetësim dhe mashtrim, ai ka pranuar fajin dhe arriti marrëveshje me hetuesit për një dënim me kusht prej dy vitesh heqjeje lirie.

Siç raporton “Corriere della Sera”, pavarësisht procesit penal dhe humbjes së vendit të punës, drejtuesi 50-vjeçar i bankës nuk është penduar: ka vepruar me synimin për të rivendosur drejtësinë, apo siç e konsiderojnë në mediet e fqinjit të përtej Adriatikut, si një Robin Hood i ri.

“Do t’ua kisha kthyer të gjitha paratë. Por, pasi veprimi im u zbulua, u telefonova të gjithëve atyre që iu kisha mbajtur shuma të ndryshme, për t’iu shpjeguar se çfarë më kishte shtyrë të bëja atë veprim. Gjithmonë kam menduar se, përveç menaxhimit të llogarive të kursimit të klientëve tanë, detyra jonë si drejtorë bankash ishte edhe të ndihmonim njerëzit në nevojë”.

Pikërisht me këto fjalë, ai është justifikuar përpara hetuesve dhe të gjithë të prekurve nga veprimi i tij.