“Guardia di Finanza” e Bergamos ka ekzekutuar 7 urdhërarreste në ngarkim të eksponentëve të lartë të një organizate kriminale të përbërë nga italianë e shqiptarë, të dyshuar për zhvatje, grabitje, plagosje, shpërndarje lëndësh narkotike, vjedhje, kërcënime dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit.

Vendimi i një gjykatësi të Gjykatës së Bergamos i jep fund kështu një hetimi delikat të zhvilluar nga specialistë të krimit ekonomik në qytetin verior, në vazhdën e të cilit dhe përmes operacioneve të mëparshme janë arrestuar edhe 6 anëtarë të tjerë të grupit kriminal.

Të arrestuarit, që të gjithë me precedentë të mëparshëm penalë, përfshi këtu edhe organizatë kriminale mafioze apo vrasje, operonin në territorin e Orobias në dëm të sipërmarrësve, ndaj të cilëve përmes shfrytëzimit të dhunës iu imponohej pagesa e shumave të majme parash me justifikimin e “mbrojtjes” së aktivitetit të tyre.