Shkatërrohet platforma më e madhe kriminale në internet

Policia gjermane, në një aksion të zbatuar bashkë me autoritetet amerikane dhe holandeze, kanë shpartalluar një nga platformat më të mëdha të trafikimit në internet, transmeton Anadolu.

Marketing

Zyra e policisë kriminalistike federale, sot tha se ka arrestuar tre gjermanë me akuzat se kanë zhvilluar platformën e ashtuquajtur “Wall Street Market” në internet të thellë, përmes së cilës kanë ofruar kokainë, heroinë dhe droga tjera, si dhe të dhëna dhe dokumente të rreme në llogaritë e 1.15 milionë klientëve.

Prokurorët pohojnë se pagesat janë kryer përmes kriptovalutave, ku të arrestuarit kanë marrë një provizion me 2 deri në 6 për qind të shumës.

Në disa bastisje të kryera të enjten, autoritetet kanë konfiskuar serverin bashkë me 550.000 euro para të gatshme, si dhe kriptovaluta, disqe, dhe prova tjera materiale.

Siç bëhet e ditur, autoritetet amerikane kanë arrestuar dy furnizues droge në Los Anxhelos, me ç‘rast kanë konfiskuar rreth 1 milion dollarë para të gatshme, armë dhe droga të ndryshme.

Aktualisht nuk ka detaje për identitetin e personave të arrestuar.