Shkëndija kampionatin e fillon me disfatë

Kuqezinjtë munden 1:0 në transfertën me Akademia Pandevin në start të sezonit të ri. Shpërdorohen shumë raste në pjesën e parë dhe dy herë në fund korniza e portës ishte me rivalin, derisa Sashko Pandev shënon golin e fitores për vendasit në minutën e 56-të.Kuqezinjtë që në start vendosën autoritet në fushë dhe diktonin tempon duke kërkuar rastin para portës kundërshtare edhe pse fusha jo e rafshët dhe moti i nxehtë ishin pengesë e madhe për skuadrën.

Marketing

Emocionet e para më serioze erdhën në minutën e 8-të kur portieri vendas Çubrakoviq ndal të majtën e A. Ibraimit nga gjuajtja e lirë, ndërsa në vazhdim ‘bomba’ e Micit ndalet me kokë nga Masllaq. Aksioni më i bukur në pjesën e parë erdhi në minutën e 25-të nën regji të Juniorit që depërton bukur pas kombinimit të dyfishtë me B. Ibraimin, mirëpo me shumë fat Çubrakoviq shpëton goditjen e brazilianit.

Vendasit thuajse gjithë pjesën e parë ishin të tërhequr në pjesën e tyre dhe apetite sulmuese shfaqën vetëm në fund të pjesës së parë kur fillimisht Masllaq vonohet para portës pas harkimit nga këndi, ndërsa pak më vonë Mici bllokon tentimin e Pandevit.