Shkëndija e Tetovës sot luan për historinë por edhe për milionat që jep UEFA. Në orën 19:00 në Tiraspol të Moldavisë, kuqezinjtë tetovarë do të sfidojnë Sherffin vendas në sfidën e kthimit të turit të dytë kualifikues të Champions League.

Objektivi i vetëm i skuadrës së Qatip Osmanit është të mbrojë fitoren 1-0 të ndeshjes së parë për t’u kualifikuar në raundin tjetër të kompeticionit më të rëndësishëm për klube, kualifikim që do t’i siguronte Shkëndijës minimalisht pjesëmarrjen në play-offin e Europa League për të tretin sezon radhazi.

Deri tani bilanci i kuqezinjëve tetovarë në Europë është i njëjtë pasi numërojnë 11 fitore 3 barazime dhe 11 humbje. Një statistikë shumë interesante që rrit shanset e Shkëndijës për kualifikim është fakti se skuadra shqiptare nuk është eliminuar në asnjë nga 6 rastet e mëparshme kur në ndeshjet shtëpiake ka fituar pa pësuar gol. Sulmi i mbështetur te treshja Junior-Emini-Ibraimi është pika më e fortë e Shkëndijës ndërkohë që duhet theksuar se do të mungojë për një kohë të gjatë talenti Marjan Radeski.

Për të avancuar më tej Shkëndijës do ti mjaftonte edhe një humbje minimale 2-1, 3-2 ose 4-3 në Moldavi ndaj Sheriffit. Skuadra që kalon këtë raund në turin e tretë do të ketë përballë gjigandët austriakë të Salzburgut, megjithatë pozitiv është fakti që edhe nëse eliminohen nga Salzburgu për shkak të koeficientit të lartë të austriakëve në short, Shkëndija ose Sheriffi do të kenë mundësi të peshkojnë një kundërshtar jo shumë të fortë në play-offin e Europa League, pasi në momentin e hedhjes së shortit do të jenë në vazon e skuadrave favorite.