Shkolla e Mesme e Kimisë i ndan mirënjohje Reisit

Shkolla e mesme e Qytetit të Shkupit “Marija Kiri Skllodovska” i ka ndarë më 6 mars, 2020, Mirënjohje Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, në manifestimin e organizuar në vigjilje të 7 Marsit-Ditës së Mësuesit. Shkolla e Mesme e Kimisë, siç quhet ndryshe, kreut të myslimanëve të Maqedonisë së Veriut Mirënjohjen ia ka ndarë “në shenjë respekti dhe vlerësimi për përkushtimin dhe kontributin e dhënë në arsim, kulturë dhe shkencë”. Arsyetimi ka pasur për bazë themelimin e Medresesë Isa Beu dhe të Fakultetit të Shkencave Islame. Mirënjohjen e ka dorëzuar Blerim Nebiu, drejtor i shkollës së mesme “Marija Kiri Skllodosvka”.
Në nderim të Ditës së Mësuesit Shkolla e Mesme e Kimisë ka ndarë edhe mirënjohje të tjera, ndërsa në emër të të gjithë fituesve ka folur Kryetari i BFI-së, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi. Veç tjerash, ai ka thënë:
Fjala e Reisul Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi me rastin e manifestimit kulturor të organizuar nga Unioni I nxënësve pranë SHMQSH “Marija Kiri Skllodovska” për nderë të Ditës së Mësuesit:

Marketing

Të nderuar e të dashur mësues e nxënës, mysafirë të respektuar, dashamirë të arsimit shqip, Paqa, dashuria dhe mëshira e Zotit qofshin mbi ju dhe mbi tërë popullin shqiptar.
Kam nderin dhe kënaqësinë të jem përpara këtij auditori në emër të personaliteteve të cilët ju i keni vlerësuar të denjë për mirënjohje në këtë datë të veçantë të arsimit shqip. Ju shpreh falenderimet në emër të të gjithëve dhe jam në veçanti i kënaqur që keni vlerësuar edhe personalitete që nuk janë me ne.
Sa shumë thot dhe sa porosi të madhe përcjellë motoja e këtij manifestimi, sa esencialisht e spjegon vlerën e arsimit thënia: Ata që dijnë,bëjnë.Ata që kuptojnë,mësojnë të tjerët!
Kur sot po festojmë 7 Marsin, ditë kjo që ne ia kemi kushtuar mësuesit shqiptar , kur shkolla e parë shqipe që u hap në Korçë në vitin e largët 1887 po bën historinë e vetë 133 vjeçare, të gjithë neve s’na mbetet gjë përveçse të përkulemi përpara mësuesve tanë të shumtë që ndër vite bartën rrezet e diturisë e i vendosën thellë në vetëdijën e nxënësve të tyre.
Faleminderit të gjithë mësuesve që ishin dikur e që janë sot. Pa zellin dhe dashurinë e tyre, pa sakrificat që i bënë e po i bëjnë, ne nuk do ishim sot këta që jemi, nuk do ishim popull me shkolla në gjuhën amtare, nuk do i kishim universitetet që i kemi, nga trungu ynë nuk do dilnin nobelistë, shkencëtarë, shkrimtarë, intelektualë të shquar, teologë. Po të mos ishte mësuesi im i parë Besim Rrusi, ku do e mësoja unë thënien e Naimit “Vetëm dritë e diturisë përpara do n’a shpjerë” ?
Me këtë rast, dëshiroj të përkujtoj se ky komb, ky popull, anipse i penguar në mënyrat më perfide të zhvillojë e të avancojë arsimimin e vetë, përherë ka qëndruar në krah të inisiativave dhe përpjekjeve për mbijetesë të cilën e sjellë dituria, i vetëdishëm se fjala shqipe, shkolla shqipe, arsimi shqip janë mburoja përpara goditjeve në themelet e trungut dhe qenies që frymon shqip. Këto gjithsesi janë vlera të padiskutueshme të një populli, ato hapin horizonte, ato sjellin dritë në erësirë,ato e kultivojnë shpirtin.
Ndryshe, arsimi dhe dituria janë parime dhe obligime që i gjejmë te shpallja e parë në Kur’anin Famëlartë.“Lexo, me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi çdo gjë”Ndërkaq Pejgamberi Muhamed urdhëron dhe porosit në hadithin e vetë: “Kërkoni diturinë nga djepi deri në varr” dhe Kërkoni diturinë qoftë ajo deri në Kinë. Kjo dëshmon sa shumë çmohen arsimi dhe dituria në Islam, sa është e rëndësishme dituria për përparimin e njeriut në këtë botë.
Sidoqoftë, të nderuar, uroj dhe dëshiroj që arsimi shqip të ec shtigjeve më bashkëkohore, përkundër faktit se ne këtu jemi dëshmitarë të ndërkëmbëzave e të dukurive të shëmtuara që janë shqetësuese. Uroj, që mësuesit tanë të vazhdojnë misionin e tyre të shenjtë të kultivimit të diturive të fëmijëve tanë. Uroj që nxënësit tanë të ndjekin idealet e rilindasve tanë, të vetëdijshëm se vetëm arsimimi cilësor, vetëm zelli dhe vullneti i tyre për të thyer bariera janë garanca e prosperitetit tonë.

Allahu e shpërbleftë veprën e mësuesve tanë dhe qoftë përherë me popullin tonë!

Reisul Ulema në këtë event e kanë shoqëruar Muftiu i Shkupit dr. Qenan ef. Ismaili, Muftiu i Gostivarit hfz. Shaqir ef. Fetahu dhe disa bashkëpuntorë tjerë.

Marketing