Shkolla në fshatin Smesnicë, Ministri Ademi premton zgjidhje

Shkolla e fshatit Smesnicë nga Komuna e Zelenikovës tash e 12 vite vazhdon të ketë mungesë uji. Nga mungesa e ujit nxënësit janë të kufizuar dhe nuk mund t’i shfrytëzojnë tualetet e ndërtuara nga një donator para disa viteve. Kamera jonë kapi pamjet e tualeteve të reja të shkollës që vazhdojnë të mos vihen në funksion.

Marketing

“Ashtu siç e pa edhe kamera te shkolla mbizotërojnë kushte mizore. Tualetet janë gati, por të njëjtat nuk mund të lëshohen në përdorim shkaku i ujit, sepse është gjë elementare dhe pa ujë ata nuk funksionojnë dhe për këtë arsye përdoret tualeti i vjetër”, pohoi Ismet Saiti.

Ai thotë se shkolla është lënë mënjanë dhe nga komuna nuk kujdesen për të njëjtën. Ajo funksionon falë një donatori shqiptar i cili në vitin 2004, ka investuar në këtë shkollë.
Për gjendjen e shkollës, Tv21 e pyeti edhe ministrin e Arsimit, Arbër Ademi, i cili premtoi se do të merret parasysh ky rast.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës gjithmonë ka shprehur dhe do të vazhdojë të shprehë gatishmëri që të intervenojë në raste dhe situata të caktuara kur konstatohet se ka nevojë për të intervenuar. Kështu që do ta shohim edhe këtë rast dhe do të shohim se cilat do të jenë edhe veprimet tona”, deklaroi Ademi.

Këshilltari i vetëm shqiptar në Komunën e Zelenikovës, Rasim Muratovski, thotë është i njoftuar me problemin dhe për të njëjtën gjë ka ngritur zërin edhe në komunë.

“Në këtë gjendje jemi sa e sa vite. Unë personalisht kam biseduar me kryetarin e komunës disa herë. Përgjigja e tij është se këtë vit do t’i marrë të gjitha masat për ta përmirësuar gjendjen”, pohoi Muratovski.

Përgjigje për gjendjen e fshatit kërkuam edhe nga kryetari i Zelenikovës, Borçe Gievski. Ky i fundit nuk ishte i gatshëm të prononcohet për televizionin tonë. Sipas banorëve, lënia anësh e këtij fshati dhe kësaj shkolle nuk është e rastësishme. Ata dyshojnë se këtu ekziston një plan që nga mungesa e kushteve, banorët shqiptarë të largohen nga kjo zonë.

Marketing