Shkolla profesionale, “8 shtatori”, financim përmes prodhimit

Shkolla e mesme profesionale “8 shtatori” në Shkup do të jetë e para në vend e cila pritet të vet financohet përmes prodhimit të produkteve nga hekuri dhe plastika. Plan programi i shkollës dhe kapacitetet brenda saj mundësojnë që në këtë shkollë të prodhohen rrethoje prej metali, shporta për mbeturina, tabela për rrugë, varëse rrobash prej plastike e gjësende tjera.

Marketing

Drejtori Kenan Hasani tha se kjo do të jetë mundësia e fundit për të tërhequr filloristët që të regjistrohen në këtë shkollë profesionale e cila viteve të fundit thuajse nuk ishte në interes të semimaturantëve. Ai kërkoi nga kompanitë e ndryshme edhe bursa për nxënësit e shkëlqyeshëm dhe vende të sigurta të punës pas përfundimit të shkollimit.

Nxënësit që regjistrohen te ne nuk do të dëshpërohen sepse në fund të mbarimit të vitit të gjithë do të jenë të punësuar, edhe deri tani me përkrahjen e komunës i kemi hapur 150 vende të punës dhe prej tyre afër 30 nxënës janë prej te ne që tashmë punojnë. Tash jemi duke bërë kontratë, memorandumi me firmat që pas përfundimit të shkollës të jenë të pranuar në punë – tha Kenan Hasani, drejtor i Sh.M.Q “8 shtatori”.

Për shkak se shkolla profesionale “8 Shtatori” gjendet në territor të komunës së Gazi Babës, interesim ka shprehur edhe kreu i saj Boris Georgievski. Ai tha se tashmë kanë caktuar profilet të cilat do të prodhohen në këtë shkollë ndërsa do të shfrytëzohen për nevojat e komunës.

Këtu shohim partneritet të përbashkët në aspektin e përpunimit të sinjalizimit vertikal dhe horizontal që është i patjetërsueshëm nëpër rrugët tona, siç janë tabelat me numra të rrugëve për amvisëri ose në ndërtesat kolektive dhe individuale.. Të rinjtë ti fitojnë aftësitë e tyre, të njëjtëve tu sigurojmë vend të duhur të punës në vendin tonë, me pagë konkrete që mos të ikin jashtë vendit – u shpreh Boris Georgievski, kryetar i komunës Gazi Babë.

Sipas të dhënave të Agjencisë për punësim, për momentin në Maqedoni ka 9.385 vende të lira pune. Mes tyre, më të kërkuara janë drejtimet profesionale si saldues, këpucëtar, kamerier, auto mekanik, shofer të makinerisë së rëndë dhe nga drejtime tjera profesionale.