Shkrirja mund të tronditë nga brenda ASH-në dhe AAA-në

Koalicioni mes Aleancës për Shqiptarët (ASH) dhe Alternativës (AAA) i ndërtuar në zgjedhjet e fundit parlamentare do të vazhdojë edhe në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Siç ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i ASH-së, Arben Taravari, marrëveshja e koalicionit mes dy subjekteve është afatizuar në katër vjet. Kështu, sipas tij, bazuar në këtë dokument dy subjektet politike ASH dhe AAA do të garojnë bashkë edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale që pritet të mbahen në tetor të vitit 2021.

Marketing

“Me Alternativën ne tanimë jemi duke menduar në bashkëpunim në rrugë të gjata, ende nuk kemi biseduar drejtpërdrejt, por nuk përjashtohet mundësia e bashkimit të të dyja subjekteve politike në një. Kjo ide ende nuk është biseduar me partnerët tanë të koalicionit, por në rrugë afat gjate dhe pas zgjedhjeve lokale do të duhet ta hapim si temë. Por, ajo që është shumë e sigurt se ne si koalicion në zgjedhjet lokale do të garojmë së bashku, kjo është shumë e sigurt dhe pas këtyre zgjedhjeve do të ishte mirë që kjo temë të hapet dhe do të ishte mirë që të organizohet ndonjë kongres ku do të bashkoheshin të dyja subjektet politike”, ka deklaruar Taravari.

Ndryshe, nga Taravari për çështjen e shkrirjes së dy partive në një më i rezervuar ka qenë Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa. Ai ka deklaruar se nuk është diskutuar për këtë ide në parti, por nuk e ka përjashtuar si mundësi. “Alternativa në kohë të fundit ka qenë e fokusuar në çështjet të cilat kanë të bëjnë me agjendën tonë opozitare në Parlament dhe nuk mund të paragjykojmë për të ardhmen, çdo gjë është e hapur, por në këtë kohë jemi të fokusuar që bashkërisht me ASH të garojmë edhe në zgjedhjet lokale”, ka theksuar Ibrahimi. Por, i pari i partisë së Ibrahimit, kreu i AAA, Afrim Gashi ka qenë i pari që në një intervistë për Tv Kanal5, pas zgjedhjeve parlamentare ka liferuar idenë e bashkimit të dy partive në një.

Sipas tij, nëse organet partiake japin “vizë” për këtë ai nuk do kishte asgjë kundër shkrirjes. Por, a është kjo një ide e zori, për shkak të oponentit të fortë BDI-së, interesit grupor apo me ndonjë motiv tjetër? Nisur nga dallimet e mëdha ideologjike mes këtyre dy subjekteve në të kaluarën dhe fërkimet e ashpra që kanë pasur para se të bënin koalicion, në opinion shtrohen edhe këto dilema.

Njohësi i rrethanave politike në vend, Faton Aliti shpreh dyshimin se kjo ide mund të shkaktojë tronditje të brendshme brenda dy subjekteve politike. “Kam dyshime se një gjë e tillë mund të ndodhë pa tronditje të brendshme në të dyja partitë. Sepse, në të dyja strukturat ka individ dhe eksponent partiak të cilët më të afërt e ndjejnë Ankaranë se sa Brukselin dhe Uashingtonin dhe e kundërta. Prandaj, do të them se dilema e shtruar nga ju, nëse mund të jetë më shumë bashkim interesi se sa bashkim ideologjik është e bazuar. Posaçërisht nëse kemi parasysh faktin se këto struktura partiake kanë mangësi në shtrirje dhe plotësojnë njëra tjetrën”, deklaroi për KOHA, Aliti.

Ndryshe, edhe drejtuesit e ASH-së edhe të AAA tanimë janë të prerë në qëndrimin se ky koalicion ka treguar rezultate të mira në Zgjedhjet Parlamentare, prandaj do të ishte shumë e qëndrueshme që të vazhdojnë së bashku edhe në zgjedhjet lokale, por kësaj here pa përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit që në raundin e parë edhe me ndonjë nga dy partitë më të mëdha maqedonase, LSDM ose VMRO-DPMNE.