Shkruan “UÇK” në 15 vetura, policia serbe arreston tre shqiptar në Beograd

Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhje për dënimin e tre të rinjve shqiptarë me pesëdhjetë e pesë ditë burgim, vetëm pse kanë shkruar mbi borë tre inicialet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) mbi disa vetura në Beograd.

Marketing

Më Poshtë reagimi i plotë:
Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se në një shoqëri demokratike dhe shtet, që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian askush nuk mund të dënohet sepse mund të ketë shprehur mendim apo prezantuar bindje ndryshe dhe eventualisht shfaqur një ide a simbol, përderisa ajo nuk është e dëmshme për të tjerët.

Ministria e Punëve të Jashtme e konsideron si thellësisht të papranueshme që edhe njëzet vjet pas luftës dhe krimeve sistematike kundër njerëzimit të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës nga institucionet ushtarake dhe paraushtarake të shtetit serb dhe pothuaj njëmbëdhjetë vjet pas ekzistencës së Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, regjimi jo-demokratik dhe jo-liberal në Serbi ngjallë frikë dhe ndjell urrejtje ndaj gjithçkaje që është shqiptare dhe buron nga Kosova.

Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe mekanizmave të mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, që të reagojnë menjëherë në dënimin e kësaj sjellje anti-evropiane dhe anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi plotësisht të padrejtë dhe tërësisht të paarsyeshëm.

Marketing