Shkup, bazari ndërkombëtar i artizanateve

Në komunën e Butelit në Shkup, u hap Bazari ndërkombëtar i artizanateve, me pjesëmarrës nga vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën.

Marketing

“Kam ardhur me artizan nga Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria, të cilët prezantohen me vepra artizanale të ndryshme, punime nga druri, të cilat kanë motive kombëtare. Nga guaca të Ulqinit kemi disa punime të cilat i prezantojmë jo vetëm në panairet në Maqedoni, por edhe në mbarë Ballkanin, të cilat janë shumë interesante, pasi Ulqini është shumë i njohur me punimet e guacave.

Po ashtu kemi edhe artizan nga Tivari i Malit të Zi të cilët prezantohen me sapunë dekorativ, me bimë medicinale të cilat punohen nga vaji i ullirit, apo nga qumështi i dhive etj”,- tha Ramiz Hajdari nga Shoqata “Globus Art”.

“Me rastin e kësaj ekspozite edhe ne i prezantojmë punimet tona të dorës dhe pasurinë tonë të folklorit”,- theksoi Gordana Gjoriq nga komuna e Graçanicës – Kosovë.

Ky aktivitet synon të shndërrohet në tradicional.

“I ftoj të gjithë qytetarët, jo vetëm të komunës së Butelit por edhe nga tërë qyteti i Shkupit, të vizitojnë etno Bazarin, që t’i shohin të gjitha etno produktet të cilat që janë të punuara me dorë jo vetëm nga komuna e Butelit, por kemi mysafirë nga Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Bullgaria”,-u shpreh kryetari i Butelit, Velimir Smilevski.

Bazari vjeshtor artizanal në komunën e Butelit do të jetë i hapur edhe gjatë ditës së nesërme prej orës 10 deri në orën 18.

Marketing