Shkup, shënohet Nata e Regaibit

Nën organizim të Myftinisë së Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Shkupit, është organizuar një program fetar për të shënuar natën Regaib (nata e xhumasë së parë të muajit Rexhep), në Islam e njohur si nata e dëshirave, shpresës dhe adhurimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Manifestimi i cili shënon fillimin e tre muajve të shenjtë (Rexhep, Shaban dhe Ramazan) dhe Natës së Madhe të Regaibit, u mbajt pas faljes së namazit të Ikindisë, në xhaminë Allaxha në Shkup.

Fjalim rasti mbajtën myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, si dhe hatibi i xhamisë, Llokman Kamberi, të cilët uruan besimtarët muslimanë për natën Regaib dhe uruan që manifestimet e këtilla të përcillen brez pas brezi.

Më pas, besimtarë të shumtë të mbledhur në xhami ndoqën programin i cili përmbante leximin e pjesëve nga Kur’ani famëlartë, ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe arabe, si dhe pjesë nga Mevludi.

Në kalendarin islamik, netët Regaib, Miraxh, Berat dhe Kadër, janë të përzgjedhura në krahasim me netët tjera të vitit dhe për këtë arsye këto karakterizohen me shtimin e adhurimit, namazeve vullnetare dhe leximit të Kuranit. Ditët dhe netët e muajve të bekuar Rexhep dhe Shaban janë lajmëtarë për ardhjen e ditëve të Ramazanit.

Regaib është dita e një fillimi të ri në historinë e njerëzimit dhe është e para nga tre netët e përzgjedhura që njoftojnë ardhjen e muajit të Ramazanit. Shënohet të enjten e parë të muajit Rexhep. Bazuar në mësimet islame, kjo është nata që paraqet mëshirën e Allahut ndaj njeriut.

Muslimanët në mbarë botën natën e sotme të bekuar e kalojnë në adhurim dhe lutje.