Shkup, shënon rritje çmimi i banesave

Është rritur për pothuajse 50 euro çmimi i metrit katror të banesave në lagjet më të frekuentuara të kryeqytetit në krahasim me vitin e kaluar. Ndërtuesi i disa objekteve të mëdha banesore në Shkup, Fatmir Etemi, thotë se po hasin në probleme procedurale me marrjen e lejeve për ndërtim. Sipas tij, kjo është arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve, pasi që sa më pak që ndërtohet, aq më shumë rritet kërkesa për banesa, ndërsa bashkë me kërkesën rritet edhe çmimi.

Marketing

Është e vërtetë që është rritur çmimi i banesave për shkak se kohë e fundit, dhënia e lejeve të ndërtimit është zvogëluar dukshëm. Në qoftë se krahasojmë vitin 2013-14, për një vit në Shkup janë ndërtuar afër 100 ndërtesa të larta, ndërsa tash në vit për ndërtesa të larta jepen afër 10 leje ndërtimi për objekte të mëdha. Oferta e banesave është shumë e vogël ndërsa kërkesa është e vazhdueshme. Andaj edhe janë rritur çmimet e banesave”-tha Fatmir Etemi, Ndërtues i banesave “ZSFKOM”.

Arsyeja tjetër e shtrenjtimit të banesave sipas Etemit është edhe shtrenjtimi i materialeve ndërtimore. Vllatko Bogoevski nga Forton, Kompania këshilluese për patundshmëri, thotë se nëse një trend i tillë vazhdon të zgjasë, çmimet do të shkojnë edhe më lartë.

Përderisa vazhdon trendi i ngadalësimit së dhënies së lejeve për ndërtim, në periudhën e ardhshme nga 1 deri në 3 vjet mund të pritet rritje e çmimit të banesave. Edhe tani mund të vërehet rritje e çmimeve të banesave por vetëm në lokacionet më të mira ku tradicionalisht kemi pasur shitje më të shpeshtë të banesave gjatë tre viteve të fundit, në Komunën Qendër, Komuna Karposh dhe Komuna Aerodrom. Nëse kemi mosbalancim mes kërkesës dhe ofertës mund të pritet ose ngecje ose ulje ose rritje”-theksoi Vllatko Bogoevski, Forton-Kompani këshilluese komerciale për patundshmëri.

Gjatë muajit të parë të vitit 2019, në të gjithë Maqedoninë janë lëshuar 32 leje ndërtimi të objekteve të larta banesore, për kompanitë ndërtuese. Sipas të dhënave nga Enti Statistikor, prej 1.071.000 banesave në Maqedoninë e Veriut, 11.4% ose 122.307 banesa janë nën hipotekë. Ndërtimtarët dhe ekspertët ekonomik presin shtrenjtim të përshkallëzuar të çmimeve të banesave pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.