Shkup, stacionet për matjen e ndotjes së ajrit jashtë funksionit

Disa stacione për matjen e ndotjes së ajrit ka kohë që nuk funksionojnë.

Marketing

Lisiçe, Gazi Babë, Aerodrom, Mërshevc, Lazaropole, Veles dhe Manastir 2 janë vendet ku ajri ishte më i ndotur vitin e kaluar, ndërsa pikërisht në këto vende stacionet matëse për grimcat PM10 nuk funksionojnë.

Tv21 kërkoi përgjigje nga Ministria e mjedisit se përse pikërisht tani kur afrohet stina e dimrit dhe ajri është më i ndotur, stacionet matëse nuk funksionojnë, nga atje na thanë se përgjigje do japin gjatë ditës, ose gjatë ditëve në vijim.
Për këtë reaguan edhe shoqatat ambientaliste. Nga “Koalicioni qytetarë 02” ndjehen të indinjuar për këtë neglizhencë të ministrisë.

“Nuk e kemi të qartë pse kaq shumë kohë nuk ka informacion për atë që po ndodh. Për hir të transparencës nevojitet të ketë informacione të vazhdueshme lidhur me arsyen për të cilën të dhënat janë të paqasshme, si dhe lajmërim kur do të zgjidhet problemi. Për instrumentet e reja matëse nuk guxohet të pritet, siç është në rastin në fjalë, nga dy, tre, apo më shumë vite. Kjo praktikë duhet të ndalojë dhe të ketë instrumente rezerve, të cilat menjëherë do t’i zëvendësojnë ato jofunksionale”, tha Tatjana Çakulev.

Masa për uljen e ndotjes së ajrit kanë marrë nga Qyteti i Shkupit. Prej atje thonë se janë duke ndërmarrë masa të vazhdueshme, por siç tha zëdhënësi Valon Saliu, lufta me ndotjen e ajrit nuk zhvillohet në afat të shkurtër.

“Gjatë periudhës së verës kishim disa autobusë të cilët punojnë më gaz, plus për herë të parë në Shkup kemi pas autobus elektrik, anash asaj kemi pas edhe rregullimin e fasadave të shkollave të cilat prej kësaj sezone janë më energjetike dhe kemi ndërtuar shtegun e biçikletave me qëllim që sa më pak të përdoren automjete”, u shpreh Valon Saliu, Zëdhënës i qytetit të Shkupit.

Ndryshe, dy aparaturat e para për matjen e ndotjes së ajrit u vendosën në vitin 2013, ndërsa kushtuan 900 mijë denarë. E ndërtimi i stacionit qendror për matjen e ajrit është pjesë e projektit të BE-së për përmirësimin e ambientit jetësor me vlerë prej 5 milionë euro.