FC Shkupi me barazim përshëndetet nga garat e Liga Europa. Edhe pse përballë kishte gjigandët skocec të Renxhersit, skuadra e drejtuar nga Zekirja Ramadani në të dyja ndeshjet kishte një paraqitje të denjtë, ndërsa sonte në arenën “Filipi i Dytë” barazoi pa gola. Rikujtojmë në ndeshjen e parë në Skoci skuadra e FC Shkupit kishte pësuar me rezultatin 0:2, rezultat ky që në fund doli të jetë i përgjithshmi i këtij dyluftimi mes skuadrës shkupjane që u rikthye pas 14 viteve në skenën ndërkombëtare.

Pjesa e parë ishte më e mirë për “bardhekaltërit” nga Çairi, të cilët në disa momente vunë në rrezik portën mysafire, mirëpo në dy raste brenda dy minutave portieri MkGregor intervenoi mjaft mirë, duke ndalur goditjet nga distanca të Bazhe Ilijoskit fillimisht në minutën e 14-të, dhe më pas edhe të Kristijan Stojkoskit dy minuta më vonë.

Pjesa e dytë doli të jetë më e barazpeshuar dhe e varfër sa u përket rasteve për shënim, ndërsa fare në fund, një minutë para fundit të takimit, Bazhe Ilijoski lëshoi rastin më të mirë që FC Shkupit ti siguronte fitoren.

Edhe pse doli i vetmuar para portierit mysafir, ai nuk arriti që të mposhtë atë, pasi intervenimi i tij ishte i shkëlqyeshëm, duke bërë që Renxhersi nga kjo transfertë të largohet i pamposhtur.

FC Shkupi këtu i përfundon garat, me shpresë se një gjë të tillë do të sigurojë edhe sezonin e ardhshëm dhe se do të ketë fat fillimisht në short, dhe më pas edhe të arrijë të kalojë fazën e parë.

HIGHLIGHTS (pjesa e pare): Shkupi – G. Rangers

Highlights (pjesa e pare)Shkupi vs. Glasgow Rangers

Publiée par Aktuale sur Mardi 17 juillet 2018