Shkupi i adresave të reja shqiptare, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit

Në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ITShKSh-Shkup në bashkëpunim me Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, u mbajt tribuna me temë: “Shkupi i adresave të reja shqiptare, reflektim i frymës së Marrëveshjes së Ohrit”.
Drejtori i ITShKSh – Shkup, Skender Asani, tha se emërtimi i mëse 150 rrugëve, shesheve, e bulevardeve me emra shqip në Shkup me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, është një nga të arriturat më të mëdha të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Ai theksoi nevojën që kjo përvojë e Qytetit të Shkupit, të reflektojë edhe në komunat tjera, ku shqiptarët duhet ta ndijnë si pjesë të veten çdo qytet, fshat, rrugë, rrugicë, shesh a bulevard. Duke qenë se thelbi i Marrëveshjes së Ohrit është trashëgimia kulturore, Asani tha se Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, është gardian i mbrojtjes së trashëgimisë tonë kulturore në Maqedoninë e Veriut dhe i vetë Marrëveshjes së Ohrit.
Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë, Artan Grubi, tha se këto ditë po shënohet dinjitetshëm 20-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, me aktivitete të shumta, si një ngjarje që e ndryshoi vendin rrënjësisht. Sipas tij, ndryshimi i emrave të rrugëve është një e arritur e prekshme sikurse edhe shumë të arritura tjera që kanë vulën e Marrëveshjes së Ohrit, prandaj kjo marrëveshje meriton që të trajtohet si trashëgimi kulturore, për të cilën do të duhet të bëhen studime të thella duke e krahasuar gjendjen e shqiptarëve me periudhën para dhe pas Marrëveshjes së Ohrit.
Më tutje, publicisti dhe studiuesi Emin Azemi, foli rreth botimit më të ri të Institutit “Adresat e reja të një kujtese”, me autor Skender Asanin, ku në mënyrë të përpiktë jepet argumentimi për mbi 150 emra shqiptarë që tanimë janë pjesë e realitetit të prekshëm të Qytetit të Shkupit.
Mehmet Prishtina, pasardhës i Hasan Prishtinës, me shumë emocione foli rreth emërtimit të magjistrales kryesore që e lidhë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, përkatësisht Hanin e Elezit me Shkupin, me emrin e heroit të kombit Hasan Prishtina.
Koordinatori i këshilltarëve shqiptarë në Qytetin e Shkupit, Besnik Ajeti, tha se nuk ka qenë e lehtë që të bindet shumica e këshilltarëve maqedonas për këtë ndryshim të madh të emrave, por falë këmbëngulësisë së këshilltarëve shqiptarë, me mbështetjen e përfaqësuesve tanë në Qeveri, si dhe me argumentimin shkencor nga ana e Institutit, u arrit ky sukses historik.
Në fund, përmes një video-mesazhi, të pranishmëve iu drejtua edhe studiuesi amerikan nga Tirana, David Hosaflook, i cili zbërtheu në hollësi disa nga emrat e anëtarëve të familjes Qiriazi, që cilët do t’i stolisin rrugët e Shkupit.

Marketing

Marketing