Shkupi mbledh Oldtimerët (video)

Këtë “Ford Galaxy” të vitit 1959 Shpëtim Vranica e përdorë rrallë. Me makinën e tij të zemrës del vetëm të dielave dhe bën xhiro nëpër Prizren, por sot puna e solli në Shkup, në ekspozitën e veturave klasike. Shkëlqimi dhe bukuria e makinës thuajse 60 vjeçare, tërhoqi vëmendjen e publikut.

Motori dhe pjesët e tjera prizrenasi thotë se janë origjinale. Makinën e shekullit të kaluar, Shpëtimi e ka porositur nga Florida ndërsa i ka kushtuar rreth 68 mijë euro.

“Unë them se kjo është si një lloj sëmundjeje e oldtimer-ave, kush është shumë merakli dhe kush i ka kushtet të bëjë diçka të tillë. Edhe mua më kanë folur, shumica praj shokëve, edhe familja më ka folur, se a jepen gjithë ato para për një makinë të vjetër, por unë jam pak i sëmurë për oldtime-ra, e nëse do Zoti e kam një plan ta marr një Ford të 1934-rës”, u shpreh Shpëtim Vranica.

Në rast defektesh, pjesët e makinës i porosit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonëse thotë se janë shumë të shtrenjta. Për shembull vetëm ky detaj i makinës kushton 100 dollarë, ndërsa një pasqyrë retrovizor është 250 dollarë.
I dhënë pas makinave të vjetra është edhe Naser Dauti nga Tetova. Nuk na tregoi se sa i ka kushtuar kjo Zastavë e vitit 1971, por thotë se ka 15 vjet që e ruan e as nuk ndërmend ta shesë, nëse ndokush ia kërkon.

“Jo nuk e shes, sepse e kam për vete. Besoj se është problem ta gjesh origjinal siç është ky për momentin, jo se është vetura ime por e kam kërkuar shumë vjet deri sa e gjeta kështu origjinal, sepse baba im e ka pasur kur unë kam lindur në vitin ‘71”, tha Naser Dauti.

Pjesë e ekspozitës së sotme ishin edhe adhurues makinash nga Gjermania, Bullgaria dhe Serbia. Dragan Markoviç nga Vranja posedon makinë të një marke që nuk prodhon më vetura, “SAAB 96” e që kanë një detaj shumë interesant për 1976-tën, vitin kur është prodhuar.

“Në ulëse ka ngrohëse që vetë ndizen në temperaturë 17 gradë, e vetë fiken në 27 gradë gjë që 92% e makinave këtë gjë sot nuk e kanë”, u shpreh Dragan Markoviç.

Disa nga pjesëmarrësit u nderuan edhe me pllakatë për pasionin e tyre. Kriteri për të marrë pjesë në “Shkupi Classic Day ‘18” është që makina të jetë më e vjetër se 35 vjeçare./tv21/

evn