Shkupi nikoqir i Mbledhjes së Konstituencës së FMN-së dhe BB-së

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të lartë të dy institucioneve më të rëndësishme financiare në botë si dhe guvernatorë të bankave qendrore.

Marketing

Republika e Maqedonisë së Veriut është nikoqir i Mbledhjes së Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe grupacionit të Bankës Botërore (BB), në kuadër të së cilës në Shkup u mbajt panel-diskutimi me temë “Si të arrihet një sistem më i drejtë për të gjithë”.

Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të lartë të dy institucioneve më të rëndësishme financiare në botë si dhe guvernatorë të bankave qendrore të cilët biseduan për pabarazinë në rritje të të ardhurave, faktorët që e shkaktojnë këtë trend, pasojat afatshkurtra dhe afatgjate në rritjen ekonomike, por edhe segmente tjera të shoqërisë dhe instrumentet e politikave të cilat i kanë në dispozicion politikbërësit.

Fjalim hyrës në këtë ngjarje kishte kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili shprehu kënaqësinë e tij për prezencën e pjesëmarrësve të shumtë në mbledhje. Ai theksoi se qeveria përmes zbatimit të reformave ekonomike dhe politikave të suksesshme fiskale në dy vitet e fundit, dëshmon se është e përkushtuar në ndërtimin e një shoqërie të drejtë me mundësi të njëjta dhe ekonomi të fuqishme e cila do të krijojë shanse për të gjithë.

Presidenti i grupacionit të BB-së për Evropë dhe Azi Qendrore, Cyril Muller, në fjalimin e tij hyrës tha se të gjitha vendet anëtare të Konstituencës do të kenë rritje ekonomike më të madhe se mesatarja rajonale, ndërsa sipas tij, përparim më të madh në reforma kanë arritur Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina.

Pas fjalimeve hyrëse, ministri i Financave të Maqedonisë së Veriut, Dragan Tevdovski, në deklaratën për mediat tha se kjo është ngjarja më e madhe në sferën e financave që ndonjëherë është mbajtur në vend. Ai shtoi se tema e mbledhjes, respektivisht si të arrihet që kapitalizmi të jetë i mirë për të gjithë, përputhet plotësisht me prioritetet e Qeverisë e cila ka një program që synon rritje të standardit jetësor për shumicës e qytetarëve dhe zvogëlim të pabarazisë.

“Ne deri më tani kemi ndërmarrë hapa të ndryshëm. Në thelb, po bëjmë konsolidim fiskal, e rregulluam sistemin e financave në vend. Nga ana tjetër, jo vetëm që arritëm të stabilizojmë borxhin publik, kemi politika që mundësojnë në praktikë të arrihen qëllimet tona kryesore. Me tatimin e drejtë siguruam mjete shtesë me të cilat i shumëfishuam transferet sociale për qytetarët më të prekur. Ne jemi shteti i parë në rajon e cili ka të ardhura minimale adekuate, të parët në Ballkan miratuam një gjë të tillë. Më pas, njëri nga prioritetet kryesore për ne është rritja e rrogave dhe në vitin 2018 rrogat u rritën pothuajse 6 për qind që është shumë më shumë se i gjithë rajoni”, theksoi Tevdovski.

Guvernatorja e Bankës Qendrore të Maqedonisë së Veriut, Anita Angellovska-Bezhoska, tha së ka nderin dhe privilegjin që në Shkup janë të pranishëm përfaqësues të lartë të FMN-së dhe BB-së si dhe përfaqësues të bankave qendrore, dhjetëra guvernatorë dhe më shumë ministra të financave, gjë që sipas saj, është parakusht për diskutime cilësore dhe relevante.

“Tema, siç e dini, është si të arrihet të kemi shoqëri më të drejtë, sistem më të drejtë për të gjithë. Në dekadën e fundit një nga çështjet kryesore është si të arrihet rritje më e shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse, pasi trendet që janë prezentë në këtë periudhë paralajmërojnë ngadalësim të rritjes globale. Jo vetëm që ngadalësohet rritja faktike ekonomike, por ngadalësohet edhe rritja potenciale e ekonomive dhe gjithë kjo bashkë me rritje të pabarazisë e cila ndodh në suaza globale”, tha Bezhoska.

“Kjo është një mundësi e shkëlqyer që të shprehim mbështetjen tonë për Maqedoninë e Veriut dhe të përshëndesim reformat që po ndodhin. Qeveria ka agjendë ambicioze reformuese dhe rezultatet mund të shihen, jo vetëm rezultatet politike, pasi gjasat për anëtarësim të vendin në NATO dhe BE janë përmirësuar, por edhe në nivel ekonomik, përmes biznesit, mjedisit afarist, arsimit, dhe ne ofrojmë mbështetje në të gjitha këto procese”, tha drejtori ekzekutiv i FMN-së, Anthony De Lannoy.

Koen Davidse, drejtor i BB-së i angazhuar për Konstituencën, tha se mbledhja në Shkup është një mundësi e mirë për të biseduar tema të rëndësishme një vit pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës.

“Marrëveshja e Prespës nuk ishte e rëndësishme vetëm në nivelin politik, por edhe në atë ekonomik. Ajo kontribuoi në rritjen e besimit për krijimin e mundësive të reja. Qeveria, me të vërtetë ka investuar edhe një kapitalin njerëzor edhe në kompanitë private, por edhe në qëndrueshmërinë”, tha Davidse, duke shtuar se BB para një periudhe të shkurtër nënshkroi program shumëvjeçar me Maqedoninë e Veriut për të mbështetur reformat dhe investimet në kapitalin njerëzor.

Mbledhja treditore e Konstituencës e cila filloi dje në Shkup, do të përfundojë nesër me vizitë në Ohër.

Në Konstituencën e FMN-së dhe grupacionit të BB-së përpos Maqedonisë së Veriut, marrin pjesë Holanda, Belgjika, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Gjeorgjia, Armenia, Izraeli, Qiproja, Luksemburgu, Moldavia, Rumania, Ukraina, Kroacia dhe Mali i Zi.

Marketing