Në prag të fillimit të vitit të ri edukativ –arsimor 2020/2021, në shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë, do të ekspozohen materiale sensibilizuese për pandeminë Covid -19. Shpërndarja e këtyre materialeve realizohet nga Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, në bashkëpunim me Sektorin për veprimtari publike në Komunën e Tetovës.

Fushata “anti – Covid”, zhvillohet në kuadër të projektit “Bëhu” mjek duke i dëgjuar mjekët – “Shëro” pacientë duke mos i infektuar të tjerët”, projekt i cili financohet nga Sekretariati gjeneral i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Implementimin e këtij projekti edhe në Komunën e Tetovës, e kanë mirëpritur autoritetet për veprimtari publike në Tetovë.

 

“Çdo iniciativë, projekt apo fushatë, që është në dobi të nxënësve dhe qytetarëve tanë, sigurisht se do gjejë përkrahjen e institucioneve arsimore të komunës sonë. Komuna e Tetovës, sektorin civil e konsideron pjesë shumë të rëndësishme për shoqërinë, prandaj ndër vite kemi ndërtuar raporte shumë të mira bashkëpunimi me ojq-të që veprojnë në territorin e Komunës së Tetovës. Ne, ju përgëzojmë për implementimin e këtij projekti që ka për qëllim sensibilizimin e nxënësve në shkollat tona, por edhe  vetëdijesimin e qytetarëve, që pandemisë Covid -19 t’i qasen me seriozitetin maksimal”, theksoi Ahmed Qazimi, përgjegjës i Sektorit për veprimtari publike në Komunën e Tetovës, në takimin e sotëm me kryetarin e Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani.

 

Projekti i lartpërmendur, realizohet sipas agjendës së paraparë dhe e gjithë kjo është arritur falë bashkëpunimit korrekt me kryetarët e komunave dhe drejtuesit e institucioneve arsimore në rajonin e Pollogut, përkatësisht në Komunën e Tearcës, në Komunën e Tetovës dhe në Komunën e Bërvenicës.

 

“Shoqata “Tradita”, në vazhdimësi angazhohet që ta ofrojë kontributin e saj civil në lëmi të ndryshme, si në arsim, art, kulturë, por edhe për çështje që paraqesin sfidë për qytetarët tanë. Këtë vit, që nga 15 gushti, në rajonin e Pollogut, jemi duke e implementuar projektin “Bëhu” mjek duke i dëgjuar mjekët – “Shëro” pacientë duke mos i infektuar të tjerët”. Në fokus të projektit janë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, vetëdijesimi dhe informimi i tyre me rreziqet e pandemisë globale Covid-19. Në partneritet me Komunën e Tetovës, ne kemi realizuar disa veprimtari të përbashkëta, ndaj besojmë se do ta përmbyllim me sukses të plotë  edhe këtë projekt të dobishëm për të gjithë”- u shpreh Selam Sulejmani.

 

 

Shoqata “Tradita”, krahas shpërndarjes së materialeve sensibilizuese në qendrat arsimore, deri më 15 nëntor 2020, do të vijoje me informimin e rregullt (përmes Ueb-faqes www.tradita.org), për virusin korona, zhvillimet e përgjithshme rreth pandemisë globale Covid – 19 dhe për mënyrën e përshtatjes me realitetin e ri social dhe tejkalimin e pasojave psikologjike të pandemisë.