Shpaloset tabela e shkollës me emrin e dëshmorit “Imri Elezi” në Çair!

Në mënyrë solemne të premten në Çair të Shkupit u shpalosë tabela me emrin e ri të Shkollës Fillore “Imri Elezi”. Në mesin e shumë miqve, bashkëluftëtarëve, familjarëve dhe vëllait të dëshmorit, si dhe stafin e shkollës nxënës i të cilës ishte Imriu, kreu i komunës së Çairit, Visar Ganiu së bashku me kryetarin e Parlamentit, Talat Xhaferin dhe Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi shpalosën mbishkrimin me emrin e ri të shkollës.

Marketing

“Emrat e shkollave nuk i përcakton Qeveria, as ministri i Arsimit dhe Shkencës. Iniciativa fillon nga bordi i shkollës, pasi kjo çështje zgjidhet me Statutin e shkollës, ndërsa propozues i Statutit të shkollës është Bordi i shkollës”, theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, në vendosjen e djeshme të tabelës së re në shkollën fillore “Imri Elezi” në Komunën e Çairit.

“Pastaj duhet të merret leje edhe nga themeluesi, më saktë nga këshilli komunal, e pastaj në fund pëlqim edhe nga ministri i Arsimit dhe Shkencës. Ashtu që, ministri i Arsimit dhe Shkencës jep pëlqim për Statutin që e propozon Bordi shkollor”, tha Ademi. Ministri potencoi se çdoherë kur nga ai si ministër i Arsimit dhe Shkencës u kërkua pëlqim për riemërimin e shkollave, ndryshim ose plotësim të statutit të shkollave, me të cilin emërohen edhe shkollat, kanë marrë pëlqim.

“Çdoherë në fjalimet tona kemi theksuar se emrat e shkollave nuk duhet të politizohen, por përkundrazi emrat e shkollave duhet ta reflektojnë vullnetin e qytetarëve, ku është vendosur ajo shkollë, vullneti i arsimtarëve, e veprimtarëve profesionalë, prindërve…Nuk do të doja të ndërhyjë në çështjet e politizimit dhe partizimit të çështjeve të tilla, të cilat kanë të bëjnë me riemërimin e shkollave konkrete. Ato duhet ta reflektojnë vullnetin e qytetarëve”, deklaroi Ademi.

Në pyetje të gazetarëve, Ademi tha se nuk din nëse ka iniciativë për riemërimin e shkollës së mesme “Cvetan Dimov”. Elez Elezi, vëllai i Imri Elezit, ka shprehur falënderim deri te të gjithë që kanë kontribuar për aktin e tillë të emërimit të shkollës me emrin e vëllait të tij. “Në emër të familjes e kemi mbështetur këtë iniciativë prej në fillim. Jemi të kënaqur që më në fund u realizua edhe ky akt përfundimtar, besoj që kjo shkollë do të kultivojë njerëz të vullnetit të mirë siç ishte Imriu, njerëz intelektual, rilindas, njerëz që bashkëpunojnë me të gjithë. Faleminderit të gjithëve që kanë dhënë kontributin për emërtimin e kësaj shkolle me emrin e Imri Elezit. Besoj me këtë emër do t’ju japim motiv gjeneratave të ardhshme se një shembull si Imri Elezi kishte qenë mirë me pas populli, kombi jonë, pse jo edhe Maqedonia e Veriut. Këtë punë nuk bën me lidh me politikë. Unë, Imriun dhe gjithë dëshmorët e kombit i llogaris të kombit, e jo të partisë”, tha Elezi.

Kreu i Çairit Visar Ganiu me këtë rast ka uruar të gjithë stafin drejtues të kësaj shkolle mësuesit dhe nxënësit. Ai në fjalën e tij tha se ky është vetëm një kontribut i vogël kundrejt veprës dhe sakrificës së madhe të figurës së Imri Elezit. Ndërkohë që ish-kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti i cili ka qenë edhe iniciator për ndryshimin e emrave të shkollave tha se ndjehet krenarë pafundësisht për riemërimin e shkollës. “Krenarë dhe pafundësisht i lumtur, për përmbylljen me sukses të iniciativës për emërtimin e shollës fillore e cila do të mbajë emrin e heroit kombëtar “Imri Elezi”.

Iniciativë kjo e cila përveçse është një nderë për ne, është edhe një përgjegjësi kundrejt mbajtjes me dinjitet të këtij emri të madh. Imri Elezi, ishte shoku i jonë, nxënës i kësaj shkolle dhe fëmijë i kësaj lagje. Andaj nuk kishte si më mirë, të jetësohet vepra dhe sakrifica e tij e madhe ndaj kombit dhe shoqërisë”, ka theksuar Mexhiti.

Ndryshe, shkolla e cila sot mori emrin e luftëtarit të lirisë “Imri Elezi” më parë quhej, “Nikolla Vapcarov”. Përveç kësaj shkolle në Komunën e Çairit kohë më parë është riemëruar edhe shkolla fillore “Cvetan Dimov” në “Hasan Prishtina” , “Rajko Zhinzivov” në “Ismail Qemali” dhe “7 Marsi” në “Kongresi i Manastirit”.

Marketing