Shpërthimi në Bejrut, mijëra persona në rrugë kundër qeverisë

Vijojnë për të dytën ditë rradhazi protestat në Liban. Mijëra qytetarë, të zemëruar me liderët politikë, kanë dalë në rrugë për të protestuar,  pasi një shpërthim i fuqishëm la të vdekur të paktën 154 persona në Bejrut.

Marketing

BBC raporton se policia përdori gaz lotsjellës ndaj demonstruesve, të cilët akuzojnë qeverinë për ngjarjen e rëndë.

Qytetarët do të marshojnë sot në zonën e shkatërruar nga shpërthimi në pjesën ku ndodhet porti i qytetit. Ata u shprehën se kjo protestë po ashtu është për të përkujtuar viktimat dhe mbi 5 mijë të plagosurit nga shpërthimi, por edhe për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.

Shpërthimi ndodhi më 4 Gusht, në portin e qytetit, në një depozitë nitrati amoni që mbante më shumë se 2500 tonë nga substanca e rrezikshme që përdoret edhe për bomba.

Sipas raportimeve, më shumë se 300 mijë persona kanë mbetur pa shtëpi dhe thuajse 50% e godinave në Bejrut kanë pësuar dëmtime pas shpërthimit tragjik.

Kostot ekonomike të kësaj tragjedie mendohet të arrijnë te 5 miliardë dollarë, duke çuar në prag të falimentimit Libanin, një shtet që ishte në vështirësi ekonomike edhe para tragjedisë, me protesta të shumta që po zhvilloheshin në të gjithë vendin.

Marketing