Shqipëri: Aksion masiv kundër drogës dhe krimit të organizuar

Policia e Shqipërisë ka ndërmarr një aksion masiv në mbrëmjen e së dielës dhe deri në orët e para të së hënës, duke arrestuar dhe ndaluar dhjetëra persona, si aksion kundër trafikimit të drogës, armëve dhe krimit të organizuar.
Operacioni i policisë ka qenë i shtrirë në 5 rrethe të vendit: Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier dhe Lezhë.

Marketing

Një pjesëtar i forcave speciale të Shqipërisë, qëndron pranë një flamuri të vendosur në stadiumin e Elbasanit. Foto ilustrim.

Në mesin e të arrestuarve janë edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, ish-drejtor i përgjithshëm i burgjeve të Shqipërisë.

Në një deklaratë të Policisë së Shtetit thuhet se arrestimi i ish-deputetit Ndoka është kryer pas urdhrit të arrestit të nxjerrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda që ka caktuar masën “arrest në burg”.

“Ai (Ndoka) dyshohet për veprat penale falsifikimi i dokumenteve, falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve, shpërdorimi i tokës në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një postimi në rrjetin social Twitter tha se Shqipëria “do të bëhet vend i pajetueshëm për kriminelët”

“Atyre që bëjnë politikë me krimin, lufta kundër krimit u rrit dëshpërimin. Sa më fort do ta godasim krimin, aq më e dëshpëruar do të bëhet kundërvënia e tyre! Ne do ta bëjmë këtë vend të pajetueshëm për kriminelët dhe të pashpresë për ata që me krimin bëjnë politikë”.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka mirëpritur aksionin e Policisë së Shtetit. Ai, përmes një postimi në Twitter ka thënë se “Ne mirëpresim operacionin e gjerë anti-drogë në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut me drogë në Shqipëri është prioriteti më i lartë për BE-në. Në vazhdim presim që kjo të rezultojë me përndjekje dhe dënime për të krijuar një historik solid”.

Shqipëria shpreson të nisë negociatat vitin e ardhshëm për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe lufta kundër korrupsionit është një nga fushat kryesore që vendi duhet të punojë para se të fillojnë këto bisedime. /REL/

Marketing