Shqipëri, shënohet numri më i lartë i rasteve të reja me KOVID-19

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë raportoi për rritjen e numrit të rasteve koronavirus në vend.

Marketing

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 311 raste të dyshuara, prej të cilëve 42 kanë rezultuar pozitivë. Kjo është dita me numrin më të lartë të qytetarëve të prekur nga COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, u shpreh se numri i pacientëve të shtruar në spital ka ardhur në rritje.

“Vetëm në 24 orët e fundit janë referuar në spitalet infektiv dhe ‘Shefqet Ndroqi 9’ pacientë të dyshuar, të cilët janë konfirmuar pozitivë dhe janë shtruar në spitalin infektiv, ku vijon të rritet numri i të shtruarve, kryesisht nga Tirana”, tha Dervishi.

Ajo bëri me dije se aktualisht janë 46 të shtruar pozitivë me COVID-19.

“Është rritur numri i pacientëve që kanë nevojë për terapi intensive. Tetë prej të shtruarve janë në terapi intensive, njëri prej tyre në intubim. Ndërsa një pacient ka dalë nga intubimi falë punës së stafit mjekësor të spitalit infektiv”, tha Dervishi.

Zonja Dervishi shtoi se përkundër rasteve të reja që kanë ardhur në rritje në dy ditët e fundit, gjatë 24 orëve janë shëruar 20 pacientë, mes tyre mjekë dhe infermierë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 980.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në të gjithë vendin sot numërohen 327 raste aktive, kryesisht në Tiranë dhe Shkodër.

Që nga përhapja e pandemisë e deri sot, strukturat shëndetësore kanë kryer mbi 19 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë 1,341 raste.