Një tjetër person ka ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit, duke e çuar në 12 numrin e viktimave

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se viktima është një 82 vjeçare, e cila trajtohej prej pesë ditësh në Spitalin Infektiv në Tiranë.

Sipas deklaratës, gjendja e saj u rëndua së tepërmi dy ditët e fundit dhe për pasojë, ndërroi jetë mbrëmjen e sotme.

Njoftimi:

Ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv pacientja 82-vjeçare L. M., nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19.

E moshuara po trajtohej prej 5 ditësh në spitalin infektiv, ndërsa në dy ditët e fundit gjendja e 82-vjeçares u rëndua së tepërmi dhe pavarësisht përpjekjes së stafit mjekësor, nuk arriti të mbijetojë.

82-vjeçarja që vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese: Astma Bronkiale, Hipertension, Podagra (sëmundje reumatismale) është viktima e 12 e COVID-19 në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerës dhe apelon qytetarët t’i respektojnë me shumë rigorozitet masat e distancimit social dhe izolimit, pasi janë përcaktuese për frenimin e përhapjes së COVID-19.