Shqipëri, vijon operacioni “Plazh i lirë”

Policia ka vijuar aksionin e saj për lirimin e hapësirave publike në plazhet shqiptare, ku vetëm në Durrës janë liruar këtë të mërkurë rreth 2 mijë metra katror hapësirë e cila ishte zaptuar nga biznese të ndryshme.
Një aksion është zhvilluar po ashtu edhe në Vlorë dhe në total janë proceduar penalisht 12 pronarë biznesesh nën akuza të ndryshme, nga zaptimi i hapësirës publike deri tek moslëshimi i kuponit tatimor.

Marketing

Durrës-Vlorë
Vijon operacioni “Plazh i lirë”
Policia e Shtetit vijon zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore.

Në Durrës, lirohen rreth 2000 m2plazh i zaptuar në mënyrë të kundërligjshme.

Procedohen 12 pronarë subjektesh, nga këta 6 në Durrës e 6 në Vlorë, për veprat penale “Zënia e hapësirave publike”, “Fshehja e të ardhurave”, “Moslëshimi i kuponit tatimor”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pushtimi i tokës”.
Policia e Durrësit në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, kanë vijuar operacionin për lirimin e hapësirave publike, duke vënë në dispozicion të pushuesve rreth 2000 m2 plazh, pronë publike e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme.
Policia ka proceduar penalisht 6 shtetas për veprën penale “Zënia e hapësirave publike”, ndëshkuar me parë edhe nga Policia Bashkiake.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunimin me Task-Forcën e ngritur nga Prefekti i Qarkut Durrës dhe Policinë Bashkiake, në vijim të punës për monitorimin, kontrollin dhe goditjen e informalitetit, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: L. B., F. B., O. D., F. R., A. C., S. B., të gjithë banues në Durrës.

Procedimi ndaj tyre filloi pasi nga kontrolli i ushtruar, u konstatua se këta shtetas kishin zënë me çadra plazhi, hapësirat publike në bregun e detit pa leje nga organet përkatëse.
– Në Vlorë në vijim të kontrolleve të subjekteve tregtare të cilat kanë zaptuar plazhet publike bregdetare në mënyrë të paligjshme, Policia ka proceduar penalisht 6 administratorë subjektesh në Radhimë dhe Himarë, konkretisht shtetasit B. D., P. K, M. K, M. Dh., S. Sh., A. Z.,

Policia ka nisur procedimet penale për secilin prej tyre, pasi nga kontrollet e ushtruara në subjektet tregtare në plazhet e Radhimës dhe Gjipesë, është konstatuar se këta shtetas kanë ushtruar aktivitetin “Plazh Privat” me mungesë të theksuar dokumentacioni, nuk lëshonin kupona tatimorë dhe nuk kishin kontratë qiraje me Bashkitë përkatëse
Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin.

Marketing