Shqipëria dhe Mali i Zi: Nuk ka tela me gjemba për migrantët

Shqipëria dhe Mali i Zi do të sillen në mënyrë humane dhe të përgjegjshme ndaj migrantëve që lëvizin përgjatë rrugës që përfshin dy vendet, porse nuk do të ndërtojnë mure e as nuk do të ngrenë tela me gjemba, deklaruan kryeministrat e të dyja vendeve, Edi Rama dhe Dushko Markoviq.

Marketing

Ata i bënë këto komente pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, që u mbajt në Shkodër.

“Në rast të valës së migrantëve, jemi të gatshëm të pranojmë barrën dhe përgjegjësitë brenda projektit evropian për shpërndarjen e barrës. Nuk do të bëhemi vend i rrethojave dhe mureve, por as shpëtimtarë të vendeve të pasura që i trajtojnë migrantët si mbetje toksike”, tha Rama.

Në përpjekje për të frenuar migrantë të rinj, udhëheqësit e BE-së kanë diskutuar idenë për ngritjen e kampeve të migrantëve, jashtë bllokut, ku do të përpunoheshin kërkesat për azil.

Thuhet se në plan janë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se varet nga to nëse do të pranojnë ose jo.

Rama dhe Markoviq po ashtu theksuan se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi janë padyshim të mira dhe se ato duhet të thellohen përmes bashkëpunimit edhe më të fuqishëm ekonomik.