Deputetët e Partisë Socialdemokrate Aida Dërguti dhe Dardan Molliqaj, së bashku me një delegacion nga Kuvendi i Kosovës, takuan sot Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë Gramos Ruçi, Kryetarin e Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, Eduard Shalsi, si dhe Kryetaren e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Ermola Felaj.

Temat që u diskutuan ishin Rezoluta për heqjen e Roamingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, Rezoluta për heqjen e tërësishme të kontrollit për hyrje-dalje e shtetasve te Republikës së Shqipërisë ndërmjet pikave te kalimit kufitare: Vërmice, Qafë Prush dhe Qafë Morinë, Rezoluta me të cilën kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës të nisë menjëherë procedurat e nevojshme ligjore për arritjen e marrëveshjes ndërkombëtare për unifikimin e doganave me Republikën e Shqipërisë.

Institucionet e Republikës së Shqipërisë mbeten të hapura ndaj çdo kërkese nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ata i konsideruan të rëndësishme rezolutat e miratuara dhe shprehën vullnetin e institucioneve të Shqipërisë për jetësimin e tyre.