Prof. Dr Mehdi Hyseni

Nëse e mbajmë parasysh njëzetvjeçarin e fundmë të skenës së përgjithshme politike në “Maqedoni”, qëkur kjo u shkëput nga ish-Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, në fillim të viteve të 90-ta të shekullit XX, mund të nxjerrim përfundimin se, partitë politike shqiptare në “Maqedoni” më tepër kanë luajtur rolin negativ, duke favorizuar më tepër objektivat e politikës sllvaomaqedone, si rrjedhim i luftës së tyre për pushtet, kur është fjala për mbrojtjen dhe për avancimin e interesave dhe të kërkesave legjitime politike dhe kombëtare të shqiptarëve në “Maqedoni”, edhe pse numri i tyre është më i madh sesa ai i “maqedonëve” (mbi 50%). Pse disa parti dhe disa opozita ? Parimisht, sipas rregullave të “lojës” demokracisë, duhet të ekzistojnë disa parti për të garuar për pushtetin shtetëror, mirëpo, kjo vlen për shtetet demokratike, siç është Amerika, shtetet e Evropës Perëndimore, Kanadaja, Australia etj.

Ndërkaq, kur është fjala për vendet dhe për popujt me status kolonial apo gjysmëkolonial, siç janë shqiptarët nën “Maqedoni”, shqiptarët e Anamoravës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) nën Serbi dhe shqiptarët e Malësisë së Madhe nën Mal të Zi, nuk ekziston nevoja, që t’i kenë dy a më shumë (ose 100 parti) parti politike me të njëjtin program, apo me program të ndryshëm politik, sepse në atë rast krijohen dilema, diferenca, kundërti dhe papajtueshmëri ideore dhe programore (dikush thumbit, tjetri patkoit) politike në popull, i cili në atë rast, vihet në pozitë të vështirë, në konfuzion dhe në dilemë, se cilës parti, duhet t’i mbështeten dhe, duhet t’i besojnë më shumë për të arritur objektivin e caktuar politik, kombëtar dhe shtetëror. Në këtë rast, krijimi i shumë partive, pa dyshim se çon “ujë në buti të mullirit” të kundërshtarit kolonizator, siç është rasti konkret i shqiptarëve nën “Maqedoni”, të cilët qe 20 vjet, politika partiake dhe shtetërore sllavomaqedone i shfrytëzon për realizimin e interesave të saj për ta “mbajtur gjallë” (siç ka konstatuar me të drejtë Koço Danaj) “Maqedoninë”. Minimumi-federalizimi Logjikisht, praktikisht dhe në kuptimin pragmatik, derisa populli shqiptar në “Maqedoni” ende ka statusin e robit të kolonizuar, ai nuk ka nevojë as për dy parti politike e as për kurrfarë opozite politike, por vetëm për një parti, e cila përfaqëson kërkesën legjitime të popullit shqiptar, që të jetë i lirë, i pavarur dhe i barabartë me popullin sllavomaqedon. Ky do të duhej të ishte kompromisi politik i shqiptarëve me sllavomaqedonët, këtu e njëzetë vjet më parë.

Ky është minimumi i kërkesës dhe i të drejtave legjitime të shqiptarëve në “Maqedoni”, i cili ka mundur të arrihet, në saje të këmbëngulësisë së politikës së partive shqiptare në pushtetin shtetëror sllavomaqedon, duke kërkuar që, në radhë të parë, të ndryshohej Kushtetuta në fuqi e “Maqedonisë” me përmbajtje kolonialiste dhe diskriminuese ndaj popullit shqiptar në “Maqedoni” (mbi 50%). Mirëpo, ndryshimi i Kushtetutës së “Maqedonisë” (sipas së cilës shqiptarët janë qytetarë dhe shtetas së rendit të dytë, domethënë “minoritet”, kurse elementi konglomerat sllavomaqedon “komb”, edhe pse mbi 50% të territorit të së ashtuquajturës “Maqedoni”, është e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë Etnike), i cili, do të bënte të mundur federalizimin e “Maqedonisë”, ku shqiptarët dhe sllavomaqedonët, do të participonin dhe do të gëzonin të drejtat e barabarta me Kushtetutë dhe me ligj. Kjo zgjidhje e kompromisit politik ka mundur të arrihet gjatë 20-vjeçarit të shkuar, mirëpo, sllavomaqedonët me politikën e tyre të rafinuar kolonialiste kanë ditur t’ua “luajnë lojën” partive politike shqiptare, sepse i kanë lexuar, se kryeliderët e tyre kanë qenë të prirë dhe të gatshëm më shumë, se si të vijnë në pushtet në koalicion me partitë e ndryshme politike “maqedone”, përkatësisht me ndihmën e tyre, jo për artikulimin dhe për çuarjen përpara të kërkesave legjitime dhe të drejta të shqiptarëve për liri, për pavarësi dhe për vetëvendosje, sipas së drejtës së tyre historike dhe asaj juridike ndërkombëtare. Për statusin e ekzistues të “minoritetit” (sipas Kushtetutës dhe, sipas ligjeve aparteide dhe diskriminuese të qeverisë sllabvomaqedone) shqiptar në “Maqedoni” fajin dhe përgjegjësinë kryesore e kanë partitë politike shqiptare, të cilat (hera njëra, e herë tjetra) për të mos e humbur statusin e tyre të privilegjuar në pushtetin shtetëror sllavomaqedon me vetëdije i kanë sakrifikuar interesat vitale të kombit shqiptar nën “Maqedoni”.

Nëse jo federalizim, atëherë, secili në shtëpinë e vet! – Shqiptarët, le të mbesin aty ku janë-në shtëpinë e vetë stërgjyshore ilireshqiptare-Shqipërinë Etnike, kurse sllavomaqedonë në Bullgari! -Nuk ka zgjidhje tjetër politike, nëse sllavamaqedonët nuk pranojnë formulën e federalizimit si kompromis politik me shqiptarët në shtëpinë e tyre etnike. Ndryshe, kjo “Maqedoni”, e cila me ligjet dhe me Kushtetutën e saj diskriminuese (të mbështetur dhe të miratuar me ndihmën, me veprimin dhe me pëlqimin e partive politike shqiptare), segregeuse dhe aparteide, shqiptarët i ka sanksionuar dhe, i ka ndëshkuar historikisht, ligjërisht, politikisht, juridikisht dhe demokratikisht, duke iu rezervuar “statusin minoritar”, edhe përkundër faktit se ata janë komb mbi 50%, dhe janë në shtëpinë e tyre etnike. Është turp i madh, dhe humbje e pakompensueshme, kur në politikë të jepet shansi e nuk di ta shfrytëzosh, ashtu, sikurse po verojnë qe 20 vjet rresht kryeliderët dhe partitë e ndryshme politike shqiptare në “Maqedoni”, ku merita kryesore e tyre është konservimi i statusit minoritar të kombit shqiptar nën “Maqedoni”. Ja, kjo është fitorja më e madhe e të gjitha partive politike “maqedone” (pozitë – opozitë) dhe e politikës zyrtare e qeverisë dhe e parlamentit të “Maqedonisë” në këto 20 vitet e fundit (1990- 2009). “Maqedonët” duhet dhe kanë arsye të kenë opozitën e tyre, sepse ndryshe (juridikisht dhe demokratikisht) nuk mund të kenë as qeverinë e tyre. Ndërkaq, shqiptarët (mbi 50%) nuk duhet t’i kenë as dy, as tri e as tridhjetë parti politike, por vetëm një parti gjithëpopollore, e cila, do të kishte energji dhe kapacitet të njëmendtë dhe të mjaftueshëm intelektual, politik dhe kombëtar shqiptar, në mënyrë që ta ndryshonte statusin ekzistues politik dhe juridik të “minoritetit” shqiptar, të imponuar nga qeveritë, nga politikat dhe nga partitë e deritashme sllavomaqedone – shqiptare në pushtetin shtetëror të Shkupit.

Pra, nëse duam ta shpëtojmë vetveten nga sundimi kolonial dhe i aparteidit sllavomaqedon, atëherë, ka ardhur koha, që të gjitha partitë politike (pozitë-opozitë) shqiptare në “Maqedoni”, të shkrihen vetëm në një parti politike dhe kombëtare shqiptare, e cila me mjete politike paqësore dhe demokratike do të luftonte me këmbëngulje për realizimin e së drejtës dhe të kërkesës historike dhe të vetëvendosjes së shqiptarëve mbi territorin e vet etnik. Thjesht, për hir të veprimit pragmatik politik dhe kombëtar, të gjitha partitë politike shqiptare në “Maqedoni”, duhet të shkrihen vetëm në një parti gjithëpopullore shqiptare, e cila do të jetë në funksion të realizimit të së drejtës së vetëvendosjes. Ndryshe, me këto “100” parti shqiptare, të cilat janë duke vepruar (jo kombëtarisht, demokratikisht dhe ndërkombëtarisht) vetëm për interesat e tyre politike, ekonomike, tregtare dhe karrieriste, edhe më tutje, do të jenë vetëm dekor i interesit nacional shqiptar (në njërën anë), dhe shtyllë e parrëzueshme e mbështetjes së politikës shtypëse dhe kolonialiste sllavomaqedone, në anën tjetër, sikurse këtu e 20 vitet e shkuara. Kuptohet, veç gabimeve dhe të metave të partive politike shqiptare në “Maqedoni”, pse shqiptarët ende vuajnë në prangat e politikës dhe të praktikës kolonialiste të shtetit sllavomaqedon, si “PAKICË KOMBËTARE” dhe si qytetarë të rendit të dytë në truallin e tyre indigjenë shekullor, fajin dhe përgjegjësinë kryesore e bartë, edhe politika zyrtare shtetërore.