Shtabi Operativ i Dibrës gjendjen me Kovid-19 e vlerësoi si shumë kritike

Shtabi Operativ Komunal i Dibrës në mbledhjen e sotme pasdite, gjendjen epidemiologjike me Kovid-19 e vlerësoi si shumë kritike, me përhapjen e përditshme të infeksionit me virusin e rrezikshëm.

Marketing

Kjo, siç ishte theksuar në mbledhje, është pasojë e nivelit të lartë të mosrespektimit të masave për mbrojtje nga ana e qytetarëve si dhe subjektet afariste të cilat në përgjithësi nuk i respektojnë protokollet e punës, e as orarin e punës.

“Është dorëzuar kërkesë deri te Shtabi Kryesor i Krizës që të dërgojnë pulmolog në spitalin e përgjithshëm në Dibër, si dhe inspektor sanitar shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë po përgatit projekt për ndërtim eventual të Qendrës Kovid dhe në komunën tonë”, informuan nga Shtabi.

Shtojnë se Organizata Komunale e Kryqit të Kuq në bashkëpunim me shëndetin publik, spitalin e Dibrës dhe pushtetin lokal, do të përgatitë material edukativ me qëllim njoftimin e qytetarëve me masat mbrojtëse dhe pse ato duhet të respektohen.

“Gjithashtu u morëm vesh që ndërmarrja Publike Komunale ‘Standard’ dhe Njësia Territoriale Zjarrfikëse çdo të hënë dhe të premte t’i dezinfektojnë rrugën kryesore dhe ato periferike të qytetit. U bëjmë thirrje qytetarëve që të mos e anashkalojnë situatën dhe rreptësisht t’i respektojnë masat për vetëmbrojtje”, thonë nga Shtabi.

Në Dibër deri më tani janë regjistruar 173 raste me Kovid-19 prej të cilëve madje 122 janë nga faza e dytë e sëmundjes, pasi me rastin e regjistruar në fshatin Kosovrast i Poshtëm sëmundja përsëri, pas pesëdhjetë ditëve, u kthye në këtë rajon.

Nga numri i përgjithshëm pesë raste janë nga komuna Qendra Zhupë. Aktivë në sëmundje janë 111 persona, kanë ndërruar jetë pesë persona, ndërsa janë shëruar 57 persona.