Shtatë vjet nga arrestimet për rastin ‘Monstra’

Sot mbushen 7 vjet që kur në një aksion policor u arrestuan më shumë se 20 persona të dyshuar për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë ku në mesin e tyre kishte edhe gra.

Marketing

Sipas deklaratës nga ekipi i MPB-së së atëhershme të arrestuarit ishin radikalë islamistë të cilët kishin marrë pjesë në vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë me qëllim që të shkaktojnë pasiguri dhe frikë te qytetarët e Maqedonisë.

Më 12 prill të vitit 2012-të, Filip Sllavkovski, Aleksandar Nаqevski, Cvetanço Acеvski, Kire Tërpkovski dhe peshkatari Borçe Stevkovski u gjetën pa shenja jete në Liqenin e Smillkovës, në rrethin e Shkupit.

Për rastin në fjalë, organet shtetërore zhvilluan aksion nën emrin e koduar “Monstra” dhe arrestuan dhjetëra shqiptarë, në mesin e të cilave kishte edhe gra.

Gjykata Penale e Shkupit, pas dy vitesh gjykim, i dënoi me burgim të përjetshëm Agim Ismailoviqin, Fejzi Azirin, Haki Aziriin, Sami Lutën dhe dy të akuzuarit tjerë që janë në arrati Alil Demirin, dhe Afrim Ismailoviqin. Sejdi Ramiu lirua, pasi që sipas Gjykatës, nuk kishte prova.

Rasti në fjalë ka shkaktuar bujë në madhe në opinion duke akuzuar pushtetin e atëhershëm të VMRO-DPMNE-së për inskenim të rastit. Për atë, me mijëra qytetarë, në mesin e të cilëve kishte dhe intelektualë një muaj me radhë dolën në protesta për të shprehur revoltën e tyre ndaj dënimit të bashkëqytetarëve të tyre, të cilët, sipas tyre, ishin të pafajshëm dhe se i tërë ky rast ishte konstruuar nga Shërbimi Sekret i Maqedonisë, të cilin atëkohë e udhëhiqte kushëriri i kryeministri Nikolla Gruevski, Sasho Mijallkov.

Avokatët e të dënuarve me burg të përjetshëm, vazhdimisht kanë deklaruar se ky është rast i montuar politik dhe se pas këtij rasti fshihet pushteti i Nikolla Gruevskit.

Marketing