Shtëpia e Bardhë pikë e nxehtë e koronavirusit, por Presidenti minimizon rrezikun

Presidenti Donald Trump është rikthyer sërish në Shtëpinë e Bardhë pas daljes nga spitali ku ai u trajtua pas infektimit me COVID-19. Në postimet e tij në Twitter zoti Trump u bënte thirrje amerikanëve që të mos kenë frikë nga koronavirusi. Shumë prej zyrtarëve që i takojnë rrethit të ngushtë të Presidentit si dhe disa prej pjesëmarrësve në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë në fund të muajit të kaluar, kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Marketing

Me rikthimin në Shtëpinë e Bardhë të hënën në mbrëmje, Presidenti Donald Trump hoqi maskën dhe u kërkoi amerikanëve që të mos kishin frikë nga koronavirusi.

Tani jam më mirë dhe mbase imun….nuk e di. Por mos e lejoni t’u dominojë jetën, dilni dhe jini të kujdesshëm”, tha Presidenti Donald Trump.

Të martën në axhendën e Presidentit Trump nuk ishte planifikuar ndonjë aktivitet publik në Shtëpinë e Bardhë, por postimet e tij në Twitter ishin të shpeshta. Disa prej tyre minimizonin kërcënimin që paraqet koronavirusi, i njëjti mesazh që ai përcolli në një video përpara se të dilte nga spitali.

“Nuk mendoj se administrata e tij po përpiqet të bëjë diçka për të avancuar mesazhet e shëndetit publik. Po ndodh ajo qe ndodh shpesh me këtë president, një shfaqje e asaj që ai mendon se tregon forcë. Por natyrisht ne e dimë që pati disa probleme, pamjet nga afër të presidentit për shembull tregonin se ai merrte frymë me vështirësi”, thotë Jeffrey Bennett i cili jep leksione mbi retorikën e shëndetit në universitetin Vanderbilt.

Të martën Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë ku thuhej se treguesit jetikë të presidentit janë të qëndrueshëm dhe se ai “nuk ka asnjë simptomë”. Por sipas ekspertëve të shëndetit publik kjo nuk do të thotë që ai nuk mund ta transmetojë virusin tek të tjerët.

Pra në përgjithësi, njerëzit të cilët janë prekur lehtë nga sëmundja nuk janë më ngjitës pasi mbërrijnë në ditën e 10-të. E para dhe më e rëndësishmja është se nëse dikush mund ta transmetojë COVID-19-n, duhet të qëndrojë i vetizoluar për të mbrojtur ata që janë përreth“, thotë Graham Snyder, ekspert i sëmundjeve infektive në universitetin e Pitsburgut.

Ndërkohë Shtëpia e Bardhë është bërë një pikë e nxehtë e virusit dhe dukshëm më e zbrazët se normalisht ndërsa disa nga anëtarët e stafit po punojnë në distancë.

Përveç presidentit dhe Zonjës së Parë, të paktën 11 zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe anëtarë të stafit të fushatës së zotit Trump kanë rezultuar pozitivë, përfshirë sekretaren e shtypit Kayleigh McEnany. Ky numër nuk përfshin personelin e infektuar të nivelit më të ulët dhe agjentët e Shërbimit Sekret.

Të paktën 11 persona që ndihmuan në debatin presidencial javën e kaluar kanë rezultuar pozitivë. Ndërkohë tre senatorë republikanë, dy udhëheqës fetarë dhe tre gazetarë ka gjasa të jenë infektuar gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë më 26 shtator, një aktivitet i mundshëm kur virusi është shpërndarë në masë. Shtëpia e Bardhë thotë se po kryhet gjurmimi i kontakteve. Administrata po përballet me kritika për mos përfshirjen në këtë proces as të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe as bashkisë së Uashingtonit, ku banojnë shumë prej anëtarëve të stafit.

Të hedhësh vështrimin pas është diçka e rëndësishme, veçanërisht për aktivitetet që kanë ndihmuar në përhapjen e virusit në masë, sepse të dish se kush ishte burimi i infeksionit mund të ndihmojë në identifikimin se ku mund të kenë ndodhur raste të tjera. Thënë ndryshe të dish se ku ishte ekspozuar Presidenti Trump mund të jetë e rëndësishme për të identifikuar njerëzit e tjerë që mund të jenë ekspozuar në të njëjtën kohë”, thotë Graham Snyder i Departamentit të Mjekësisë në Universitetin e Pitsburgut

Zyra e Zonjës së Parë lëshoi një komunikatë të martën, ku përshkruante masat paraprake, përfshirë pajisjet e plota mbrojtëse personale dhe testimin e përditshëm të stafit që punon në pjesën rezidenciale të Shtëpisë së Bardhë, atje ku çifti presidencial po merr veten nga sëmundja.

Presidenti Trump ka pak më shumë se një javë kohë që të shërohet përpara zhvillimit të debatit të dytë me kandidatin për president të demokratëve Joe Biden, planifikuar për në 15 tetor. Presidenti shkruante në Twitter se po pret me padurim.

Marketing