Shteti premton më shumë kujdes për personat me invaliditet

Megjithëse mbulon pjesën më të madhe të shpenzimeve, shoqatat që merren me trajtimin e invalidëve kanë kërkuar së fundmi nga Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor rritjen e kuotës për kujdesin shëndetësor të kësaj kategorie të popullatës. Branimir Jovanovski, kryetar i Lidhjes kombëtare të personave me invaliditet të lehtë “Mobilitet Maqedoni”, ka thënë për gazetën KOHA se personat me aftësi të kufizura kanë nevojë për më shumë lloje të kujdesit shëndetësorë sesa ofrohet nga institiucionet përkatëse.

Marketing

Ashtu si të gjithë qytetarët, thotë ai, janë të prekshëm ndaj sëmundjeve dhe infeksioneve të ndryshme që trajtohen përmes kujdesit shëndetësor parësor dhe dytësor. “Në varësi të dëmtimeve fizike, ata kanë nevojë për mbrojtje specifike të kujdesit shëndetësor, siç është nevoja për rehabilitim shëndetësor, fizioterapi, përcjellje nga një ndihmës i spitalit, mjete dhe trajtime të posaçme mjekësore, pajisje ortopedike dhe të ngjashme”, thotë Jovanovski, ndërsa informon se ka nis bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore në Maqedoni për ndryshimin dhe përmirësimin e rregullave ligjore për kujdesin e personave me aftësi të kufizuara. Edhe Sefer Hyseni, kryetar i shoqatës për personat me invaliditet “Shpresa”, thotë se jo gjithmonë personat me aftësi të kufizuara kanë nevojë për trajtim të njëjtë.

“Niveli i trajtimit të tyre, qoftë terapeutik, qoftë me medikamente, nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e tyre në përgjithësi, nga fakti se në Maqedoni të siguruarit kanë të drejtë sigurimi shëndetësor deri në moshën 26-vjeçare, ndërsa pas kësaj moshe, u nënshtrohen pagesave dhe shpenzimeve të ndryshme, të cilat kjo kategori e popullatës shumë vështirë se mund ti sigurojë”, thotë për KOHA, Hyseni.

Jovanovskin informon se nga institucionet përkatëse shëndetësore është kërkuar edhe zgjerimi i listës me pajisje ortopedike, pajisje këto që janë pjesë përbërëse e Rregullores mbi indikacionet për ushtrimin e të drejtës për ortopedi dhe ndihma të tjera. Edhepse disa hapa janë bërë përpara në sektorin e shëndetësisë, personat që merren me trajtimin e qytetarëve me aftësi të kufizuara, thonë se megjithatë përmirësimi i shëndetësisë po ec ngadalë. Nga “Mobilitet Maqedoni” thonë se është lidhur bashkëpunim edhe me organizatat të tjera që merren me personat me invaliditet me qëllim që të koordinojnë kërkesat drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe FSSHM-së. “Me FSSHM-në kemi punuar për ndryshimet dhe plotësimet e rregullores mbi indikacionet për ushtrimin e të drejtës për pajisje ortopedike dhe zgjerimin e listës për pajisjet dhe pjesëve ortopedike sipas modelit të rregullores kroate. Në përputhje me dinamikën e dakorduar, shpresojmë që nga fillimi i vitit të ardhshëm do të miratohen Rregullorja e re dhe personat me aftësi të kufizuara do të kenë mundësinë për të blerë pajisje më funksionale ortopedike”, thonë nga “Mobiliteti Maqedoni”.

Marketing