Shtohen kontrollet policore në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë

Aksidentet e shumta në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë, që shpesh kanë përfunduar edhe me pasoja në njerëz, kanë alarmuar sërish komunën e Tearcës. Kreu i sektorit komunal për veprimtari publike thotë se kërkesat e tyre drejtuar institucioneve po hasin në vesh të shurdhër, ndërkohë që rruga vazhdon të jetë pa sinjalizim vertikal dhe horizontal, dhe pa kontrolle të shpeshta të policisë.

Marketing

Nga komuna i kanë rekomanduar qeverisë që të hap rrugë dytësore me qëllim të mbrojtjes së jetëve të banorëve, por kërkesat e tyre ende nuk janë shqyrtuar.

Ne në kontinuitet kemi kërkuar nga “Rrugët e Maqedonisë” dhe organet tjera që të ndërmarrin diçka në këtë drejtim por këto gjëra kanë hasur në vesh të shurdhër. Ne kemi propozuar në Qeveri që të bëhet rrugë alternative nga fshati Neproshten që të lidh rrugën rajonale për në Shkup, tek mbikalimi tek Zona e lirë ekonomike dokumentacionin teknik e kemi dorëzuar dhe presim, por edhe kjo do e zbus problemin, nuk do e zgjidh atë – tha Muamet Rexhepi, sektori për veprimtari publike.

Me problemin e njëjtë përballen edhe banorët e Xhepçishtit. Në këtë fshat, nga aksidentet në dyzet vitet e fundit jetën e kanë humbur 88 persona.

Këtu në fshatin Xhepçisht jetën e kanë humbur 88 persona, ja në këtë rrugë. Këtu vozisin kush sa do, dhe organet shtetërore nuk e kontrollojnë si duhet rrugën këtu. Në evidencën time në librin e të vdekurve kam të shënuar 88 persona të mbytur prej aksidenteve – u shpreh Zija Ibraimi, zyra e vendit Xhepçisht.

“Me këtë rrugë këtu më rrezik se neve nuk ka, siç e shihni shkollën e kemi poshtë, gjysma e fshatit poshtë është, aksidente ka çmos ndodh, 10 minuta kam pritur të kaloj lartë më keni pa vetë. Policia këtu nuk kryen punë, pengesa duhet këtu ose rreth rrotullim”.

Nga sektori punëve të brendshme në Tetovë thonë se pas aksidentit të fundit, do shtohen kontrollet në atë aks rrugor.

Ne do shtojmë kontrollet në atë pjesë të rrugës për matje të shpejtësisë, siç e bëjmë edhe në rrugët tjera, në pjesën e autostradës ku rregullisht bëjmë kontrollet me radar. Duhet të ketë radar statik, por këtu MPB duhet në bazë të analizave tona që ua dërgojmë atyre në të ardhmen do vendosim jo vetëm në atë rrugë, por edhe në rrugët tjera regjionale – tha Besir Qamili, Komandant i sektorit për komunikacion.

Kohë më parë në aksin rrugor Tetovë-Jazhincë, si pasojë e vozitjes së shpejti, u regjistrua një aksident i rëndë trafiku në të cilin humbi jetën një traktorist ndërsa lëndime të rënda pësoi bashkudhëtari i makinës. Shkaku i këtij aksidenti, banorët e Dobroshtit u ngritën në protesta duke bllokuar rrugën Tetovë Jazhincë në të dyja kahet.