Shtohen problemet për Real Madridin, edhe Courtois lëndohet

Lista e lojtarëve të lënduar në Real Madrid vazhdon të zgjatet me kalimin e kohës. Lojtari i fundit i cili iu bashkua kësaj liste është portieri belg, Thibaut Courtois, i cili nuk do të jetë i gatshëm për lojë për dhjetë ditë, për shkak të lëndimit të kofshës.

Marketing

Si rezultat i këtij lëndimi, ai do të mbetet jashtë skuadrës për ndeshjen e Copa del Rey kundër Leganes, si dhe ndeshjen e La Ligës kundër Real Betisit. Për ndeshjen e parë, trajneri Santiago Solari kishte menduar ta linte në stol, ndërsa ai pritej të ishte titullar në ndeshjen ndaj Real Betisit, transmeton Gazeta Express.

Që nga transferimi i tij nga Chelsea gjatë afatit kalimtar të verës, Courtois e ka fituar vendin e parë si portier në formacionin e parë të Real Madridit. Fillimisht këtë vend ai e kishte ndarë me Keylor Navasin, mirëpo që kur në pozitën e trajnerit u emërua Santiago Solari, ai e ka zgjedhur Courtois për të gjithë ndeshjet, përveç për ndeshjet e Copa del Rey.

“Pasi Thibaut Courtois i bëri testet mjekësore, të kryera nga stafi mjekësor i Real Madridin, ai është diagnostikuar me një lëndim të shkallës së parë në muskulin e kofshës së këmbës së majtë. Shërimi i tij do të mbikëqyret nga stafi mjekësor i klubit”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga faqja zyrtare e Real Madridit.

Courtois synon të shërohet në kohë për ndeshjen kundër Sevillës, e cila zhvillohet pas dhjetë ditëve, pasi që Solari i beson më shumë atij se Navasit dhe tani që klubi ka mbetur dhjetë pikë larg Barcelonës, “Los Blancos” nuk duan të humbin edhe më shumë pikë.

Sigurimi i tre pikëve në ndeshjet e ardhshme nuk do të jetë shumë i lehtë për skuadrën e Solarit pasi që përveç formës së keqe, klubi është duke e përballur me probleme të shumta sa i përket lëndimeve. Për momentin të lënduar janë: Courtois, Marco Asensio, Gareth Bale, Toni Kroos, Javi Sanchez dhe Mariano.

Marketing