Shumë detyra deri te anëtarësimi i plotë

Pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, në vend pritet të ketë zhvillime dinamike politike. Së pari, sfidë do të jetë zgjedhja e anëtarëve të rinj të KSHZ-së, të cilat detyrë parësore do ta kenë mbajtjen e Referendumit për Marrëveshjen e emrit me Greqinë. Sipas asaj që ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, debati lidhur me referendumin dhe të gjitha çështjet lidhur me të, mes të cilave edhe formimi i KSHZ-së, do të fillojë nga fundi i këtij muaji.

Marketing

“Së pari duhet pasur kujdes për momentin e përpilimit të KSHZ-së. Përbërja e KSHZ-së nuk ka dhe as nuk duhet të ketë kurrfarë lidhje me mbajtjen e referendumit. Ajo është pyetje logjike, e cila erdhi pas dorëheqjeve të anëtarëve të KSHZ-së”, tha Zaevi. Ai përkujtoi se me opozitën është dakorduar që VMRO të kryesojë me KSHZ-në, ndërsa partitë e shumicës në pushtet të kenë katër anëtarë – shumicën.

“Shpreh bindjen se këto ditë, ekipet negociuese do të arrijnë t’i harmonizojnë qëndrimet dhe se nuk do të ketë kushte që do të implikojnë bllokim të referendumit të ardhshëm. Pres formim të shpejtë të KSHZ-së”, tha kryeministri. Ai vuri theksin se KSHZ duhet të zgjidhet menjëherë, sepse siç shtoi Zoran Zaev, ky është obligim i Parlamentit dhe i të gjithë faktorëve politik në shtet. Sipas tij, në periudhën në vijim do të debatohet edhe për datën e referendumit, çështjen e referendumit, si dhe karakterin e tij.

“Qytetarët kanë të drejtë dhe duhet të deklarohen në referendum”, tha Zaevi, duke cekur se ka referendume me peshë të ndryshme, por ky ka rëndësi historike, sepse me të do të definohet e ardhmja drejt së cilës synon vendi ynë. Në pyetjen nëse deri në fund të vitit pret që të ketë 80 deputetë, të cilët do t’i zbatonin ndryshimet kushtetuese, Zaevi theksoi se ai nuk është qëllim i shumicës në pushtet. “Besoj se Parlamenti duhet të sigurojë 120 deputetë, nëse vullneti i qytetarëve do të jetë pozitiv në referendum”, theksoi Zaevi, duke shprehur optimizëm se deklarimi i qytetarëve do të jetë pozitiv dhe se shumica e madhe do ta mbështesë të ardhmen e vendit drejt BE-së dhe NATO-s. Nëse grupet e punës nuk arrijnë të dakordohen, kryeministri si mundësi përmendi takimin e liderëve, por, megjithatë shprehu bindje se të gjitha çështjet do të dakordohen në nivel të grupeve punuese.

FTESA NË NJË MOMENT TË VEÇANTË POLITIK TË NATO-s

Ndërkaq, nga bashkësia ndërkombëtare përsëri vënë theksin se në momentin politik të NATO-s me konfrontime publike mes presidentit të SHBA-ve, Donald Tramp dhe liderëve të shteteve Perëndimore, për Maqedonisë ishte një vendim i një rëndësi të madhe të merr ftesë për anëtarësim. Zëvendëskryetari i Këshillit Atlantik në SHBA, Dejmon Vilson për Radion Europa e Lirë thotë se Samiti i NATO-s do të jetë një shenjë pozitive për votuesit në Maqedoni. Vilson shprehet se qytetarët duhet të sjellin një vendim të madh i cili është shumë e vështirë, por që mund të zhbllokojë anëtarësimin për në NATO si dhe BE. “Ky ishte një Samit i vështirë. Të gjithë e dëgjojnë presidentin Trump, e dëgjojnë retorikën e tij dhe janë të shqetësuar. Kishte reagime të ashpra. Mendoj se vendimi për Maqedoninë ishte shumë i rëndësishëm. Patëm lajme të shkëlqyera. Këto janë lajme historike, këto janë lajmet pozitive nga Samiti, anëtarët e Aleancës bashkë vendosën të mbajnë fjalën nga viti 2008, gjegjësisht nëse ka marrëveshje me Athinën, Shkupi do të marrë ftesë për anëtarësim. Kjo edhe ndodhi”, u shpreh mes tjerash Villson.

E RËNDËSISHME KYÇJA E OPOZITËS

Ndërkaq, sipas analistit politik Ibrahim Mehmeti, s’ka dyshim se parakushti kryesor që të mund të realizohet ftesa për anëtarësim në NATO është implementimi i marrëveshjes për çështjen e emrit ndërmjet Shkupit dhe Athinës. “Kuptohet se kjo nuk do të thotë se nuk janë të rëndësishme edhe pikat tjera, para se gjithash ato që kanë të bëjnë me qeverisjen e mirë dhe pushtetin e së drejtës. Vetë ftesa nga NATO flet se pikat tjera, përveç asaj të emrit, nuk vihen në dyshim, sepse Qeveria aktuale në një vit të ushtrimit të pushtetit dëshmoi se ka vullnet që t’i përmbushë kërkesat që vijnë nga anëtarësimi në NATO, mirëpo implementimi i marrëveshjes me Athinën kërkon kyçjen edhe të opozitës, gjë që mund ta komplikojë këtë proces”, thotë Ibrahim, duke i dhënë kahje serioze kyçjes së opozitës në procesin për implementimin e Marrëveshje së emrit. Sidoqoftë, shton ai, në momentin kur qeveria ta gjejë mënyrën e kyçjes së opozitës në realizimin e marrëveshjes për emrin, gjithçka tjetër do të jetë vetëm çështje teknike. “Ne periudhën qe vijon mbetet të shohim se a do të gjejë Qeveria forcë ta bëjë këtë, ose përsëri do të ketë nevojë për ndihme nga diplomacia e shteteve mike të Maqedonisë në bindjen e opozitës së NATO nuk është interes i Qeverisë, por i gjithë qytetarëve, përfshi edhe votuesit e saj”, ka vënë theksin Ibrahim Mehmeti.

Ndërkaq, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska ka thënë se Armata e Republikës së Maqedonisë është gati për në NATO. “Armata e Republikës së Maqedonisë është e përgatitur për NATO, por mungon sistemi adekuat i shtetit”, mendon Sheqerinska, e cila theksoi se anëtarësimi në NATO është vetëm njëra pjesë e integrimit të Maqedonisë në strukturat ndërkombëtare. Ajo tha se anëtarësimi në NATO do të ndihmojë edhe anëtarësimin në BE. Duke folur për sfidat e anëtarësimit në aleancë, Sheqerinska theksoi se mirëmbajtja e ARM-së kushton dhe për këtë arsye – edhe është rritur buxheti për 15 për qind. “Në ndërkohë, punët nuk kanë mbetur në pikën e njëjtë, janë përkeqësuar dhe kjo është e qartë për të gjithë. Sigurimi i forcave tuaja ushtarake kushton dhe pa marrë parasysh a jemi anëtare e NATO-s ne duhet të mirëmbajmë të financojmë dhe të furnizojmë armatën dhe kjo nuk është punë e lehtë në asnjë vend. Sipas pjesëmarrjes tonë në misionet ndërkombëtare, sidomos në NATO forcat tona ushtarake janë të përgatitura, sistemi duhet te jetë më i mirë”, tha Sheqerinska.

SHUMË DETYRA DERI NË ANËTARËSIM TË PLOTË

Pas përfundimit të negociatave për inkuadrim, do të nënshkruhet Protokoll për inkuadrim, i cili pastaj duhet të ratifikohet nga Parlamentet e të gjithë vendeve-anëtare të NATO-s. Ky proces i ratifikimit është ai i cili merr më shumë kohë. “Ajo që merr kohë është në fakt ratifikimi në vendet e ndryshme anëtare”, ka shpjeguar ditë më parë njeriu i parë i NATO-s, Jens Stoltenberg. Shqipëria dhe Kroacia, madje u ftuan në prill të vitit 2008, ndërsa u inkuadruan në prill të vitit 2009, një vit më vonë. Ndryshe, NATO do ti jep Maqedonisë doracak me punë për anëtarësim. Javën e ardhshme do të fillojë procedura paraaderuese. Në periudhën prej 4-6 muaj do të ketë procedurë të brendshme në Maqedoni, ku pas ratifikimit të marrëveshjes për emrin me Greqinë, në vjeshtë do të mbahet referendumi dhe ndryshimi i Kushtetutës së Maqedonisë. Nëse bisedimet rrjedhin sipas planit, ato do të përmbyllen deri në janar të vitit 2019. Pas ratifikimit të Marrëveshjes në Parlamentin e Greqisë, në një periudhë njëvjeçare, pason ratifikimi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO nga të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të Aleancës Veri-Atlantike. Në rast se referendumi dështon, me automatizëm dështon edhe marrëveshja. Në rast se referendumi kalon, atëherë nevojiten ndryshimet kushtetuese për të cilat nevojiten dy të tretat e votave në Parlament për të ndryshuar pjesët që kanë të bëjnë me emrin e shtetit dhe termet “maqedonase” dhe “maqedon”. Marrëveshja, gjithashtu nuk do të jetë e përfundimtare pa kaluar edhe në Parlamentin e Greqisë. Ndryshe, Maqedonia prite të avancojë legjsilacionin që prek fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Buxhet më të madh për ushtrinë, sidomos në pajisjet ushtarake dhe blerjen e armëve moderne, si dhe asimilimin apo zhdukjen e armëve të vjetra njëjtë siç ka bërë Shqipëria dhe shtete tjera të rajonit. Anëtarësimi në NATO do ti kushtojë Maqedonisë dhe kontribut financiar deri në 2 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Pakti NATO u themelua më 4 prill 1949, kur u nënshkrua Traktati i Atlantikut të Veriut në Uashington DC. Anëtarët themelues të NATO-s ishin SHBA, Franca, Britania e Madhe, Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Islanda, Luksemburgu, Italia, Holanda, Norvegjia dhe Portugalia. NATO u themelua në mënyrë që të krijonte një sistem të mbrojtjes së ndërsjellë nga një sulm i jashtëm. Neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut kërkon që shtetet anëtare të pavarura të vijnë në mbrojtje të çdo shteti anëtar, nëse ndodh një sulm nga një palë e jashtme. Kjo është vënë në zbatim të vetmen herë pas sulmit terrorist të 11 shtatorit.

29 ANËTARËT E NATO-s

Shqipëria, Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Mali i Zi, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia , Spanjë, Turqi, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara. Shteteve anëtare u kërkohet të bëjnë pagesa për mirëmbajtjen ushtarake në NATO-s. Por janë vetëm katër shtete anëtare të cilat aktualisht po përmbushin udhëzimet e sugjeruara prej dy përqindësh. Këto vende janë Shtetet e Bashkuara me 3.7 për qind, Greqia me 2.36 për qind, Britania e Madhe me 2.12 për qind dhe Estonia me 2.08 për qind. Shqipëria është e shtata nga fundi dhe shpenzon vetëm 1.10 për qind të GDP-së për mbrojtjen. (koha.mk)

Marketing