Shumëgjuhësia në fokus të Konferencës shkencore

Konferenca shkencore me temë “Shumëgjuhësia dhe sfidat e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në RMV”, e cila u hap dje, vazhdoi punën edhe gjatë ditës së sotme. Fjalë përshëndetëse patën drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela, ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, zëvendësdrejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive, Xhelal Hoxhiç, dhe Rami Memushaj – gjuhëtar nga Shqipëria.

Marketing

Pas kësaj, filloi paneli i parë me temë “Modelet evropiane të politikave gjuhësore”, ku folën ambasadorja e Zvicrës, Sybille Suter Tejada, ambasadori i Finlandës, Kimo Lahdevirta dhe ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj.

Në panelin e dytë, me kumtesa u paraqitën Petra Malfertheiner, e cila foli për të drejtat gjuhësore në Tirolin Jugor në Itali, Besim Kabashi, për nevojën e një korpusi paralel për nxjerrjen e terminologjisë për gjuhën shqipe, Izer Maksuti foli për përdorimin e gjuhës sipas modeleve të politikës gjuhësore të Tirolit Jugor dhe të Belgjikës si dhe Zeqirija Ibrahimi, për politikat gjuhësore evropiane në përqasje me politikën gjuhësore të RMV-së.

Në panelin e tretë me temë “Shumëgjuhësia në RMV”, me kumtesat e tyre u paraqitën Abel Andrea, e cila foli lidhur me edukimin në dy e më shumë gjuhë në Tirolin e Jugut, Emil Lafe, për sfidat e shqipes letrare në RMV në rrethanat e dygjuhësisë zyrtare, Rami Memushaj, për standardet e dyfishta të dygjuhësisë në Ballkan, Veronika Kareva, për qasjen ndaj mësimit të gjuhës si motivim për popullarizimin e gjuhës shqipe te nxënësit me gjuhë amtare maqedonase dhe prindërit e tyre, Dimitar Pandev, për teorinë e shumëgjuhësisë në gjuhësinë maqedonase.

Në panelin e katërt, me temë “Rëndësia e përkthimit cilësor dhe fjalorët terminologjikë”, u paraqitën Klara Kranebitter, e cila foli për punën e terminologjisë në Tirolin Jugor dhe sistemin e informacionit për terminologjinë juridike BISTRO, Ajtene Qamili-Hajdari, për nevojën e njësimit të terminologjisë administrative dhe përfshirjen e tyre në fjalorët terminologjikë, Anila Omari, për përkthimin si faktor ndikimi në zhvillimin gjuhësor dhe pasojat e përkthimit në shqipen e RMV-së, Edlira Bushati, për shprehjet frazeologjike, si transferë ndërkulturorë shqip-gjermanisht, gjermanisht-shqip, Asllan Hamiti, për redaktimin profesional dhe gjuhësor të përkthimeve.
Konferenca do të vazhdojë me punë edhe gjatë ditës së nesërme.