Si e shpëtoi Kosova dhe Maqedonia, Shqipërinë nga falimentimi (TABELA)

Shtatori ka sjellë pak frymëmarrje për turizmin në vend, pas situatës së vështirë që ai po kalonte që nga marsi, kur për gati tre muajt lëvizja ishte pothuajse e bllokuar dhe pas një vere të vakët, ku ata që i mbajtën hotelet në këmbë ishin shtetasit nga Kosova.

Marketing

Të dhënat e INSTAT treguan se Në Shtator 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në territorin shqiptar janë 377.033. Krahasuar me Shtator 2019, ky numër ka rënë me 36,2%. Ndonëse në rënie, tkurrja ishte më e ulët se në periudhat e mëparshme, ku në gusht hyrjet e të huajve ranë me 63% dhe në korrik me -67.1%.

Kosova është në fakt shpëtimtari i turizmit këtë verë. Vetëm në shtator erdhën 239 mijë turistë nga Kosova, që përbënin 64% të totalit të të huajve që hynë në vend këtë shtator. Hyrjet e shtetasve nga Kosova në shtator ishin 44% më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke mbajtur të zëna hotelet në të gjithë vendin dhe duke kompensuar rënien e turistëve nga Maqedonia (-50% në shtator), Greqia (-87%), Italia (-69%), Mali i Zi (-46%) etj.

Psh, nga 23 mijë turistë polakë që erdhën në shtator 2019, këtë vit kishte vetëm 1422, nga Greqia (një pjesë e madhe emigrantë) hynë vetëm 5,840 shtetas nga 47 mijë në shtator 2019, apo nga Italia erdhën 10 mijë shtetas, nga 35 mijë një vit më parë.
Gjithsesi, për 9 mujorin, rënia e hyrjeve të shtetasve të huaj është e lartë. Sipas INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipërinë në nëntëmujorin 2020 është 2.122.202, duke rënë me 61,1%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Përgjatë nëntë muajve të 2020,Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 45,2%, ndërsa tkurrjen më të madhe e ka pasur Spanja me 90,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019

Sipas INSTAT, Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin Shtator2020, janë 604.703. Krahasuar me Shtator2019, ky tregues rezulton me rënie 43,1%. Në Shtator2020, hyrjet e shtetasve të huajnë territorin shqiptar janë 377.033. Krahasuar me Shtator 2019, ky numër ka rënë me 36,2%.

Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga territori shqiptar, gjatë muajit Shtator 2020 janë 706.145, duke shënuar një rënie me 44,7%,krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shtator 2020 janë 271.586. Krahasuar me Shtator 2019, ky numër ka rënë 51,7%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Shtator 2020, janë 434.559. Krahasuar me Shtator2019, ky numër ka rënë 39,2%. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në nëntëmujorin 2020, është 2.208.821 duke rënë 50,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Monitor