Çdo qytetarë i Kosovës që ka qasje në rrjetin social Facebook sot ka marrë një njoftim për ditën e zgjedhjeve dhe mundësinë e shfrytëzimit të votës.

Të gjithë qytetarët kosovarë kanë mundësinë e votimit që nga ora 07:00 deri në ora 19:00 kur edhe pritet të mbyllen të gjitha vendvotimet.

Kurse sot për herë të parë kosovarëve Facebook-u ia përkujtoi ditën e zgjedhjeve.
“Është dita e zgjedhjeve! Informohu rreth votimit dhe shpërndaje që votove”, shkruante në njoftimin e këtij rrjeti social.

Si funksionon vegla e zgjedhjeve në Facebook?
Në qendrën e ndihmës të Facebook-ut, ekziston një shpjegim pse shohim një njoftim të tillë rreth votimit. Në përshkrimin zyrtar të rrjetit social, thuhet:

“Mund të shihni përkujtues në ditën e zgjedhjeve se është koha për të votuar. Këta përkujtues mund t’ju ndihmojnë të zbuloni se si të regjistroheni, çfarë të prisni në ditën e zgjedhjeve dhe ku është vendosur vendi juaji i votimit. Ne i dërgojmë këto njoftime sepse duam t’i ndihmojmë të gjithë të ngrenë zërin e tyre gjatë zgjedhjeve. Ne nuk paguhemi për këto njoftime. Ne ju tregojmë atyre njerëzve se janë mjaft të rritur për të votuar, pa marrë parasysh kë e mbështesin”.

Duket se algoritmi i Facebook-ut, duke u bazuar në atë se çfarë postojnë mediat, në mënyrë automatike e di për ditën e zgjedhjeve në një vend të caktuar dhe lëshon një njoftim të tillë.